Kredia e dhënë nga institucionet financiare jo banka u rrit me 20% gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli total, përfshi edhe mikrokredinë, arriti vlerën e afro 17 miliardë lekëve ose rreth 134 milionë eurove.
Pesha e kredisë dhënë nga institucionet jo banka kundrejt totalit të kredisë për ekonominë ngelet modeste, me rreth 3% të totalit. Megjithatë, kredidhënia jashtë sistemit bankar duket dinamike dhe me ritme më të shpejta rritjeje krahasuar me kredidhënien e bankave. Në veçanti, një zhvillim të shpejtë ka marrë tregu i kredive të vogla dhe të shpejta, me qëllim kryesisht financimin e nevojave konsumatore. Këto kredi kanë norma interesi shumë të larta, por ofrojnë një zgjidhje të shpejtë dhe pa procedura burokratike, çka po i bën të suksesshme, në shembullin e shumë vendeve të tjera të lindjes.
Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i mikrokredisë është rritur me më shumë se dy herë gjatë vitit 2017 dhe ka arritur në rreth 1.35 miliardë lekë. Kompania që i ka dhënë kryesisht shtysë këtij segmenti të tregut ka qenë Iute Credit, ndërsa ky aktivitet ka tërhequr edhe aktorë të rinj, si Kredo Finance që ka nisur veprimtarinë apo Digital Finance që pritet ta nisë së shpejti.
Përveç mikrokredive konsumatore, portofoli i kredive dhënë nga institucionet financiare jo banka ka një rëndësi të konsiderueshme në sektorë specifikë, siç është bujqësia, ku pjesëmarrja e bankave ngelet e ulët, për shkak të rreziqeve të larta. Gjithashtu, një segment i tregut ku institucionet financiare jo banka, si Fondi Besa apo NOA, kanë një aktivitet të konsiderueshëm është biznesi i vogël dhe mikro.