Kardinali i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, ka bërë thirrje për një zgjidhje paqësore përmes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente, Parolin i bëri gjatë vizitës së tij zyrtare në Serbi.
Ai ka thënë se shpreson se dialogu “do të ofrojë zgjidhje të vërtetë kompromisi me Kosovën duke respektuar paqen dhe stabilitetin”, kanë cituar mediat italiane të ketë thënë numri dy i Vatikanit, raporton Koha.net.
Ndërkaq, sipas një deklarate nga Presidenca serbe, thuhet se Parolin, gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ky i fundit e ka falënderuar kardinalin Parolin për mos-njohje të shtetit të Kosovës.
Vuçiq, sipas deklaratës për media, i ka thënë Parolinit se Serbia po kërkon zgjidhje paqësore me Kosovën, “por dëshiron të mbrojë interesat e saja kombëtare”.
Çështja e Kosovës ka qenë në qendër të diskutimit edhe në takimin e Parolinit me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit ka thënë se bisedimet mes dy vendeve janë të rëndësishme “për të ruajtur trashëgiminë kulturore e fetare në Kosovë”.