Euro duket se është stabilizuar në tregun vendas të këmbimit valutor dhe ndodhet tashmë që prej fillimit të javës në kuotën e 125.5 lekëve në blerje dhe 126.5 lekëve në shitje. Luhatjet për valutën europianë vijojnë prej 48 orësh të qëndrojnë brenda kufijve të 0.03 lekëve, çka shërben si tregues se euro mund të ruajë këtë raport me lekun edhe në ditët e ardhshme.
Nga ana tjetër, dollari amerikan është rikthyer në një trend rënës. Valuta e Shteteve të Bashkuara është dobësuar me 0.3 lekë për njësi krahasuar me nivelet e ditës së martë. Një dollar këmbehet sot për 107.5 lekë në blerje dhe 108.5 lekë në shitje. Ndryshe nga euro e cila është lehtësuar, këtë periudhë dollari po vuan edhe nga presionet e një lufte të mundshme tregtare me Kinën.
Të dhënat pozitive nga industria e ndërtimit në Britaninë e madhe i kanë dhënë frymëmarrje paundit britanik, duke anashkaluar frikërat nga progresi i dobët në negociatat për daljen nga BE. Kjo ka bërë që stërlina të rritet lehtë në tregjet ndërkombëtare, çka është reflektuar edhe në vendin tonë me një forcim prej 0.2 lekësh për njësi. Stërlina tregtohet sot në nivelet e 142 lekëve në blerje dhe 143 lekëve në shitje.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian është rritur lehtë me 0.1 lekë për njësi; franga zvicerane është forcuar me 0.2 lekë për njësi, ndërsa dollari kanadez ka qëndruar i paluhatur në kursin e 81.6 lekëve.