Izraelitët bëhen gati të zbresin në hënë – Bëhen shteti i 4 pas SHBA, BS dhe Kinës

E mërkurë, 11 July 2018 07:03

Kompania shtetërore “Industritë Aerohapësinore Izraelite” dhe jofitimprurësja SpaceIL kanë shpallur planet e tyre për të nisur një mision hënor gjatë muajit Dhjetor, i cili do ta bënte Izraelin shtetin e katërt që ka zbritur në hënë.

Anija izraelite pa ekuipazh me një vlerë prej 88 milionë dollarësh do të niset nga Florida duke përdorur raketat e Falcon 9 të prodhuara nga SpaceX e Elon Musk. Me një peshë prej vetëm 600 kilogram, ajo do të jetë anija kozmike më e vogël që bën një zbarkim në hënë. Udhëtimi do të zgjasë dy muaj.
“Jam i mbushur me krenari që anija e parë izraelite, e cila është në fazën finale të ndërtimit dhe testimit, do të arrijë deri në Hënë”, u shpreh presidenti dhe themeluesi i SpaceIL, Morris Kahn.
Asnjë qeveri nuk ka zbritur në hënë që prej viteve ’70, por interesi është ringjallur kohët e fundit. Presidenti i SHBA Donald Trump ka kërkuar 900 milionë dollarë financime për misionet hënore të NASA. Ndërsa Kina këtë vit planifikon të zbarkojë një sondë në pjesën e errët të paeksploruar të hënës, ku nuk arrijnë sinjalet radio nga Toka.
Nëse misioni i Izraelit rezulton me sukses, ai do t’i japë shpresë shkencëtarëve për misione me kosto relativisht të ulëta. Megjithatë ka ende sfida për t’u tejkaluar, si kapaciteti më i vogël i karburantit i anijes. Anijeve të tjera kozmike u janë dashur katër ditë për të arritur në hënë, sepse mund të mbanin më tepër karburant.
Anija e SpaceIL është 1.5 metra e lartë dhe dy metra në diametër me një shpejtësi maksimale prej 10 kilometrash në sekondë. Karburanti do të përbëjë 75% të peshës së saj.
Pasi të zbarkojë, anija do të bëjë foto dhe video të pikës së zbritjes, duke regjistruar edhe fushën magnetike të hënës.

Login to post comments