Kur ishte djalë me pantallona të shkurtra kacavirrej pas reklamave, ndërsa kur ishte i ri, ulej bordurave të qendrës e ndiqte me sy ecejaket e kryeqytetasve në xhiron e madhe.
Profesioni ia deshi të kalonte shumë kohë në Lulishten e Skënderbeut, ku ka shkrepur mijëra fotografi.. Ndaj, Roland Tasho është një nga njohësit më të mirë të qendrës së Tiranës. Në një ekspozitë të hapur së fundmi, Tasho u paraqit me një kolazh fotografish nga qendra e Tiranës, ku paraqiteshin shndërrimet e shumta.
Tasho shprehet kundër tyre dhe ëndërron që një ditë, qendra e kryeqytetit të kthehet si ka qenë me shatërvanin, Kafe Kursalin dhe ndërtesën e bashkisë…
Së fundmi, një grup dashamirës të fotografisë kanë hapur një ekspozitë, ku ju paraqiteshit me një seri fotosh nga qendra e Tiranës në kohë të ndryshme, përse kjo zgjedhje?
Përkundër fotografive shumë të bukura të miqve të mi, mua si profesionist “nuk më shkon” fotografia e bukur, ndaj u paraqita me fotografi problematike. Ishin disa fotografi të ndryshimit të qendrës së Tiranës, për të treguar si ka qenë dhe si është bërë. Vendosa të paraqitem me këto foto, sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë ndryshimi i vazhdueshëm i qendrës së Tiranës. Pasi kemi parë këto ndryshime nga njëri kryetar bashki te tjetri, tashmë presim kryetarin e radhës, të merret prapë me qendrën.
Si do të ishte qendra sipas jush?
Qendra do të zërë vend, vetëm kur të kthehet në identitet. Nisur nga ideja e hershme e Kryeministrit, në kohën kur ishte ministër Kulture, për “kthimin në identitet”, unë prisja nga stafi i ri i bashkisë kthimin e Kafe Kursalit, të shatërvanit si ka qenë dhe gjëja më e bukur do të ishte kthimi i bashkisë apo ish-Komitetit Ekzekutiv. Vetëm atëherë unë e quaj sheshin të përfunduar. Nuk i dihet nëse ky do të jetë projekti i një kryetari të ri bashkie. Kjo do të kërkojë konsensusin e qytetarëve, pasi është e pamundur që këtë ta ndërmarrë një njeri i vetëm. Nëse sot bëhet një referendum, jo vetëm autoktonët, por edhe të ardhurit do ta donin qendrën siç ka qenë. Do të kishte qenë shumë e bukur ringjallja e Kafe Kursalit, historitë e së cilës i kemi dëgjuar nga prindërit tanë, me atë arkitekturën interesante, një kafe aristokrate..
Ç’të keqe ka ndryshimi i qendrës?
Kur fillova të dal jashtë, sidomos në vitin 1992, i ftuar nga Bashkia e Ankonës dhe shëtita zonën e Marches, kudo më prezantonin qendrën historike, atëherë unë e kuptova se çfarë do të thotë të kesh një qendër historike. Do të thotë të kesh një identitet dhe ndryshimin e herëpashershëm unë e shoh si një shkatërrim identiteti. Nëse shkatërron identitetin, këtë popull mund ta marrësh për veshi, ta marrësh për dore dhe ta çosh ku të duash. Për të mos folur për prishjen e panoramës. Duhet ta dish se çdo qytet ka kartolinën e vet përfaqësuese. Dhe Tirana ka pasur një të tillë me Skënderbeun, Xhaminë e Et’hem Beut, Sahatin dhe në sfond Dajtin. Një kartolinë që asnjë politikan i përkohshëm nuk mund ta prishë, ndërkohë që një kryetar bashkie e prishi. Kur një diplomat francez i tha kryebashkiakut të kohës që të mos lejonte ngritjen e Torre Drinit, ai i ishte përgjigjur: Po përse, New Yorku nuk është i bukur. Një përgjigje tejet banale, që i kishte lënë pa fjalë diplomatët e huaj.
Kur nisët të fotografonit Tiranën?
E kam fotografuar kur nisa të punoj si fotograf në vitin 1985, pastaj kam fiksuar të gjitha ndryshimet e radhës. Kam 5 apo 6 fotografi të qendrës së Tiranës në faza të ndryshme. Unë kam punuar një vit në lulishten e famshme pas Skënderbeut, në vitet 1982-1983. Madje, së fundi e kam imagjinuar një dialog mes teatrit dhe lulishtes, ku kjo e fundit i thotë: “Eh mor teatër, ti i ke 2-3 njerëz që të mbrojnë, kurse mua, që jam lulishtja më e famshme në Shqipëri, nuk më mbron njeri”. Ka qenë me të vërtetë një lulishte e famshme, pasi kushdo që vinte në kryeqytet, nuk mund të largohej pa bërë më parë një fotografi në të, duke pasur pas Skënderbeun apo 15-katëshin. Pas çdo eventi në Tiranë, do të shkrepej edhe një fotografi te lulishtja.
Kur ishte “piku” i fotografive”?
Për fillim shkolle, mbarim shkolle, fillimin e ushtrisë, pa përmendur festat e mëdha, si 1 Majin, Festat e Nëntorit, ku atje nuk kishte ku të shkelje nga numri i madh i njerëzve. Nga ajo lulishte mund të shkruhet fare mirë edhe historia e Tiranës. Më ka entuziazmuar pa masë projekti i “kthimit në identitet”, pasi kur isha fëmijë kemi ndenjur te Bashkia, te reklamat dhe mendova se do të kthehej edhe pamja e sheshit dhe ndërtesat e famshme, si kanë qenë dikur. Do të ishte një shesh ashtu si është projektuar në kohën e Mbretit Zog, i dashur, i komunikueshëm, i ngjashëm me ata që shohim në Europën, ku ne duam të jemi pjesë.
Ju përmendët lulishten e Skënderbeut dhe një sërë ndërtesash historike që nuk janë më, ndërkohë që një tjetër godinë e tillë, ajo e Teatrit Kombëtar rrezikon shembjen, si e gjykoni?
E kam ndjekur me shumë interes këtë çështje dhe e mbështes kauzën e atyre artistëve dhe qytetarëve që po luftojnë për të mbrojtur atë godinë. Dhe kjo nuk ka lidhje me një godinë, me Teatrin, por me simbole, me identitetin. Nuk është justifikim, që ajo godinë është vetëm 80 vjeç. Shumë shpejt ajo bëhet 100. Tek e fundit, kjo është historia jonë. Ne të gjithë kemi vizituar qytete europiane dhe e dimë se qendrat historike nuk preken. Meqë kryetari ynë ishte në Pragë, pikërisht, në atë qytet ka 250 vjet që nuk ndryshon asgjë në qendër. Madje, as i shkon ndokujt në mendje një gjë e tillë. Përveç ndonjë pastrimi fasade apo ndërrim xhami, asgjë tjetër nuk është e lejueshme. Është e vërtetë që edhe atje janë ndërtuar ndërtesa moderne, por jo në qendër, në periferi, si të ishte në Laprakë. Madje, edhe për atë, komuniteti i atjeshëm u ngrit kundër, por bëhej fjalë për një ndërtesë shumë të veçantë dhe në periferi, që më në fund u lejua të ndërtohej. Kjo që ndodh në vendin tonë është fyese, revoltuese. Si qytetar i Tiranës e konsideroj të papranueshme./Panorama/