Përkundrejt një rritjeje ekonomike me mbi 4%, niveli i shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonominë shqiptare ka rezultuar negativ në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra në shumicën e degëve të ekonomisë.
Norma e shfrytëzimit në industri ra, si krahasuar me tremujorin e mëparshëm, me 1.1 pikë përqindje, ashtu edhe kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, me 0.4 pikë përqindje. Megjithatë, niveli i saj rreth normës 73.8% mbetet mbi mesataren historike.
Norma së shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim shënoi rënie me 2.8 pikë përqindje në terma tremujorë dhe me 3.1 pikë përqindje në terma vjetorë. Kjo normë qëndroi në 60.3%, rreth 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.
Ecuri disi më pozitive shfaqën shërbimet dhe tregtia. Në shërbime norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 75.5%, duke qenë 0.2 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 2.9 pikë përqindje më lart se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues rezulton rreth 5.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij.
Ndërsa në tregti, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 2.7 pikë përqindje kundrejt tremujorit të mëparshëm dhe me 2.6 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Megjithatë, kjo normë prej rreth 72.6% në tremujorin në analizë, qëndron 3.6 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.