Mbrëmjen e 14 korrikut 2018, në muzeun e qytetit, u organizua ceremonia e dhënies së titullit Qytetar Nderi, nga Bashkia e Shkodrës, z.Ahmet Bushati. Për vlerat intelektuale të z.Bushati dhe për qëndresën e tij në kampet e burgjet e komunizmit, folën të pranishmit, ndër të cilët kryetarja e bashkisë zj.Voltana Ademi, kryetari i Këshillit Bashkiak z.Xhemal Bushati, deputeti Lorenc Luka, studiuesi z.Marçel Hila, etj. U lexua edhe përshëndetja e profesor Sami Repishtit nga SHBA-ja. Z.Bushati ka qenë kryetari i parë i Këshillit Bashkiak të Shkodrës në vitet 1992-1996. Ai është ish i dënuar politik pasi ka vuajtur në moshë të re 2441 ditë në hetuesitë, burgjet dhe kampet e punës së detyruar të komunizmit. Z.Bushati, kujtimet e tij për periudhën e burgimit i ka hedhur në një libër. Ai gjithashtu është edhe nismëtari i çeljes së muzeut të paraburgimit në Shkodër, ndër veprat e pakta muzeale që tregojnë periudhën diktatoriale të djeshme komuniste.