Janë zbuluar fotot e personit, i cili gjatë përplasjes së sotme ndaj tentativës së Policisë për ta arrestuar, në Radhimë, mbeti i plagosur nga të shtënat me armë të uniformave blu.
Sipas Policisë Vendore, mësohet se ishin duke kryer operacion në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim Gaqo Gjini, 38 vjeç.
Ai ka rezistuar duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë.
Polici në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar duke e goditur me armë një herë në këmbë. Gaqo Gjini është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në një prononcim për mediat, vjehrri i Gaqo Gjinit, baba i dy fëmijëve, hodhi poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj dhëndrit të tij.
Vjehrri i të arrestuarit tha se 38-vjeçari nuk kishte lidhje me krimin. Ai pohoi se dhëndri i tij gjente punë ku të mundej, ndërsa nuk kishte me se të ushqente fëmijët. Po ashtu vjehrri i Gjinit nuk i kurseu akuzat për ish-drejtorin e Policisë së Vlorë, Jaeld Çela, (i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës me bandën e Habilajve), ndërsa shtoi se gjatë kohës së tij, dhëndri u shpall në kërkim.
“Ai s’ka bukë për darkë. Ne s’dimë gjë fare, tani erdhëm. Tani e morëm vesh nga vajza që aty kishin hyrë 500 policia në shtëpi. E shpallën në kërkim kur ishte ai shefi i degës, i pari, ai i degjeneruari që është shpallur në kërkim. Vajzën e gjetëm pa ndenja, me dy fëmijë të mitur. Ai s’ka grabitur asgjë, le të thonë ça të duan. Dhëndri ka rreth 6 vjet e ca në këtë banesë. Në atë banesë jeton vajza me dhëndrin. Ku ka gjetur punë ka punuar, ku të gjente punonte”, u shpreh vjehrri.
Njoftimi i Policisë
Sot në Radhimë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, në zbatim të një plani masash për kapjen e një personi në kërkim, ishin duke kryer operacion në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim Gaqo Gjini, 38 vjeç.
I kërkuari ka rezistuar duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë.
Efektivi në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar duke e goditur me armë një herë në këmbë.
Shtetasi Gaqo Gjini është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
38-vjeçari ishte shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale ''Plagosje e rëndë me dashje'', ''Kundërshtim i punonjësve të policisë'', dhe ''Armëmbajtje pa leje''.
Vijon puna nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Vlorë dhe SHÇBA-së, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shtetit në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, po ushtron kontrolle të shumta në të gjitha zonat me risk për evidentimin dhe kapjen e personave me precedentë që janë aktualisht në territorin e vendit apo që mund të vijnë gjatë verës nga radhët e emigrantëve.
Këto kontrolle janë shtrirë dhe po vijojnë me forca e shërbime shtesë të policisë kriminale dhe agjentë civilë, për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt në qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Lezha e Shkodra.