Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar një udhëzim, i cili përmban kriteret për përzgjedhjen e subjektit që do të marrë të drejtën për prodhimin dhe shpërndarjen e biletave elektronike për transportin rrugor.
Ky vendim duket se i hapë rrugë zhvillimit të një gare për biletat elektronike dhe aplikimin e tyre në shërbimet e transportit publik. Qeveria ka miratuar më parë edhe një udhëzim që përcakton se biletimi elektronik do të realizohet përmes kartave plastike smart dhe përmes biletave elektronike prej letre me shirit magnetik. Biletat elektronike në transportin publik – Qeveria nxjerr udhëzimin për mënyrën e funksionimit. Fitimi i të drejtës së prodhimit dhe shpërndarjes së biletave elektronike do t’i mundësojë subjekteve të administrojnë sistemin e biletimit elektronik, për linjat urbane dhe ato ndërqytetase.
Ndërkohë, MIE përcakton se forma e kontraktimit të subjekteve të treta është përmes koncesionit ose partneritetit publik privat. Kjo do të thotë se një institucion mund të shpallë një tender për biletat elektronike dhe kompania fituese do të paguhet në bazë të ofertës së tij, ose do të mbajë një tarifë mbi të ardhurat nga ky aktivitet. Të drejtën për të aplikuar në garë e kanë subjektet që plotësojnë kriteret e vendosura nga MIE: reputacion të mirë, qëndrueshmëri financiare, eksperiencë të ngjashme në Shqipëri apo vende të BE, si dhe të zhvillojë aktivitetin në Shqipëri.