Ministri i emigracionit në Belgjikë, Theo Francken, që vizitoi Tiranën pak muaj më parë është vënë në shënjestër nga opozita belge për deportimin e Safet Rustemit alias Safet Bajri, shqiptari nga Shkodra i konsideruar si një nga kriminelët më të kërkuar në Belgjikë.
“Brusselstime” ashtu si edhe media të tjera belge e konsiderojnë atë si përfaqësues të një prej
5 familjeve mafioze që kontrollojnë bregdetin e Velipojës. Opozita belge kritikon ministrin, që duke qenë përkrahës i politikave të dëbimit të emigrantëve, ka deportuar Rustemin në Shqipëri ku kontrollon rrjetin kriminal nga Shkodra.
Megjithëse ishte në krye të listës së njerëzve të kërkuar nga drejtësia belge, Rustemi u deportua në Shqipëri, duke përfituar nga politikat e qeverisë për largimin e emigrantëve.
Safet Rustemi ishte përfshirë në trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në lagjen Alhambra të Brukselit dhe ishte dënuar me 22 vjet burg.
Nga përshkrimi që i bën policia në listën e të shumëkërkuarve Rustemi ishte “ekstremisht i dhunshëm” në trafik qeniesh njerëzore, tentativë vrasjeje, shkatërrim prone, armëmbajtje pa leje dhe grabitje.
Por në vend që ta mbanin në burg, Rustemi u deportua me avion nga Zyra e Emigracionit drejt vendlindjes së tij në Shqipëri.
“Ishte kjo zyrë që vendosi që ai nuk mund ta vuante dhe nuk do ta vuante dënimin” ka thënë avokati i tij Sven Mary për një të përditshme belge. Por mediat shkruajnë se shqiptari vazhdon t’i drejtojë bizneset e tij kriminale në Bruksel, që nga Shqipëria.
Ministri për Emigracionin Teo Franken e mbrojti vendimin: “Shqipëria nuk është fundi i botës” shkroi ai në Twitter. “Përfshirja e tij në listën e deportimit ishte sinjal për autoritetet shqiptare që ta arrestojnë këtë njeri. “Kemi një marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë” shtoi ai.
Por një deputet i opozitës belge, Uter de Vriend e akuzoi ministrin se ishte i obsesionuar pas deportimit të emigrantëve, edhe kur këta t’i shpëtojnë drejtësisë.
“Ky lloj deportimi na sjell rreziqe të mëdha”, tha ai, “Këta lloj kriminelësh janë të aftë ta na rrezikojnë edhe nga jashtë vendit. Obsesioni për t’i hequr qafe me nxitim është rrezik për sigurinë tonë” tha ai.
Ministri Theo Francken ka premtuar që do të hetojë më tej për atë që ka ndodhur. Çështja e deportimit të Safet Rustemit është kthyer në temë dite për mediat belge që kanë shkuar më tej, duke raportuar për aktivitetin kriminal të tij në Shkodër.
Më 18 korrik edhe “Le derniere heure” shkruante se krimineli më i kërkuar në Belgjikë, Safet Rustemi, fshihet në Velipojë dhe se 5 familje mafiozësh në Shkodër kanë pushtuar Velipojën.
Në shkrim thuhej se: “Emri i njërit prej kriminelëve më të kërkuar të Belgjikës ndodhet në një hartë plazh të Adriatikut. Ne morëm planet e pushtimit të plazheve të Velipojës. Afër Shkodrës në Shqipërinë e Veriut, Velipojë është një nga plazhet më të bukura të Adriatikut. Dhe këtu, në këtë nivel, papritur, lexojmë emrin Safet Bajri. Emri i përdorur nga Safet Rustemi, një prej kriminelëve më të kërkuar në Belgjikë. Pesë familjet e më të fortëve të Shkodrës shfrytëzojnë Velipojën. Safet Rustemi shfrytëzon 620 shtretër plazhi dhe shezlongë. Safet Bajri zë një vend qendror në Plazhin e Velipojës. 5 familjet e më të fortëve të shkodrës shfrytëzojnë Velipojën.”
Safet Rustemi, është një nga personat më të kërkuar në Belgjikë. 33-vjeçari është dënuar për akuzat për drogë, tentativë për vrasje dhe vjedhje me dhunë, ndërsa dyshohet dhe si i përfshirë në zhdukjen e dy shqiptarëve në Belgjikë./BW