UniCredit, shpreh interes për tregun shqiptar

Diel, 22 July 2018 08:15

Teksa bankat në Shqipëri janë përfshirë në një fazë intensive shitje-blerje, duket se bankat e mëdha europiane shohin ende me interes shtrirjen në Shqipëri, pasi me gjithë numrin e madh të operatoreve sërish ka hapësira ne ofrim produktesh dhe shërbimesh të reja.

Burimet nga Banka e Shqipërisë bëjnë me dije se banka më e madhe italiane, UniCredit, ka shprehur interes për të qenë e pranishme në Shqipëri gjatë dy viteve në vijim. Interesi është shprehur nga përfaqësuesit e UniCredit në një takim mes shoqatave të bankave të dy vendeve.
UniCredit synon të jetësojë një plan të hershëm për të qenë e pranishme në Shqipëri por që nuk u realizua për shkak të krizës së bankave të viteve të fundit. UniCredit është ndër bankat europiane të prekur nga kriza, por që tashmë është rikuperuar.

UniCredit është e pranishme në shumicën e vende të rajonit, teksa me Shqipërinë mundësitë janë të mëdha për aktivitet financiar për shkak se Shqipëria e ka të përqendruar tregtinë me Italinë dhe realizon një pjesë të madhe të tregtisë së shërbimeve më këtë vend. Burimet nga tregojnë pohojnë se më shumë gjasa, UniCredit do të blejë një nga bankat e sistemit për të hyrë në Shqipëri. UniCredit sheh me perspektive zhvillimet në Rajonin e CEE ku bën pjesë edhe Shqipëria.

“Niveli i rentabilitetit të sektorit bankar ndryshon në të gjithë rajonin, por në përgjithësi viti 2017 ishte viti i parë në të cilin sektori bankar shënoi rritje në të gjitha vendet e rajonit. Disa nga dobësitë e sektorit para krizës së 2008-2009 tashmë kanë kaluar: Ne jemi duke parë një model financimi më të qëndrueshëm, menaxhim më të mirë të rrezikut dhe përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së aseteve “, shprehet UniCredit në deklaratën e saj të zhvillimeve në Rajonin tonë.

Sipas UniCredit, viti 2017 do të jetë viti i parë që nga kriza financiare 2008-09 që shumica e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë shënuar rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej më shumë se 3 për qind, i cili konsiderohet pragu për një zhvillim të qëndrueshëm. UniCredit pret që bankat dixhitale të luajnë një rol të fortë në vitet e ardhshme. Në fund të vitit 2017, asetet totale të UniCredit ishin 837 miliardë euro.

Shitblerjet e bankave

2018-a po rezulton një vit me shumë lëvizje në sistemin bankar. Në shtator, pritet që të përfundojë bashkimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania (ISBA), me Banën Veneto, pas një procesi përthithjeje të ISBA në linjë me të njëjtën procedurë të bankave mëmë në Itali. Integrimi, sipas planit do të zbatohet nëpërmjet bashkimit të Veneto Banka Sh.a me Intesa Sanpaolo Banka Albania, bazuar në qasjen e kontabilitetit të “bashkimit të interesave”, duke qenë se të dyja kompanitë janë nën kontrollin e përbashkët të të njëjtit aksioner të vetëm. Nuk do të ndodhë emetim i aksioneve të reja, duke pasur parasysh se kapitali neto i VB sh.a do të inkorporohet në ISBA si Rezervë e Kapitalit. Në kuadrin e inkorporimit, kapitali aksioner aktual i VB Sh.a, i shprehur në Euro, do të konvertohet në lekë.

Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI) ka blerë tashmë Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG Albania), një proces që është finalizuar tashmë.
Një tjetër bankë me kapital grek, Tirana Bank është në negociata finale për shitje dhe ka disa banka pretendente.
Banka Societe Generale ka nisur tashmë procedurën e shitjes, në linjë me strategjinë e bankës mëmë në Francë, për të hequr dorë nga rajoni. Hungarezët e OTP-së janë të interesuar për të hyrë në tregun shqiptar përmes blerjes së Societe Generale. Banka Ndërkombëtare Malajziane (ICB) me aktivitet modest, diskutohet se është gjithashtu në shitje.

Bankierët, të intervistuar më herët nga “Monitor”, e shohin pozitiv këtë proces, pasi do të rrisë eficencën e sistemit bankar, por, nga ana tjetër, kanë shprehur dhe shqetësimin për largimin e bankave me përvojë me kapital perëndimor dhe gjithashtu për aspekte të transparencës e të përvojës në fushën specifike të aktivitetit bankar të aktorëve të rinj që ky proces do të sillte në përbërjen e sistemit bankar në të ardhmen. Ndaj, hyrja e një tjetër banke me kapital perëndimor pritet të amortizojë largimin e disa prej tyre nga Shqipëria.
Aktualisht sistemi bankar ka 16 banka, që po reduktohen në 14 (pas përthithjes së Veneto nga Intesa dhe shitjes se NBG te Abi Bank).

Sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëdiversifikuar sipas origjinës së kapitalit. Mbizotëron kapitali turk, teksa BKT ka gati 28% të totalit të aktiveve deri në fund të 2017-s.Në vend të dytë janë austriakët, me 17.1%, përmes Raiffeisen. Në rritje ka ardhur pesha e bankave me kapital shqiptar, ku Credins (12.28%) dhe Union Bank (3.18%) kanë së bashku 15.46% të totalit, me zgjerim prej 0.9 pikë përqindje me bazë vjetore. Pesha e bankave italiane mbetet pothuajse e pandryshuar në 12.8% dhe përthithja e Veneto nga Intesa nuk e ndryshon, për shkak se të dyja janë me kapital italian.

Në vitin 2008, bankat me kapital grek zinin 27.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, ku më e madhja ishte Tirana Bank (9.78%), e ndjekur nga Alpha Bank (8.14%), National Bank of Greece (6.67%) dhe Emporiki Bank (3.13%). Ato ishin mjaft konkurrente në treg dhe shumë aktive në kreditim (pesha që zinin në stokun e huasë po në 2008-n ishte 40.7%, po sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave). Por, pas 2010-s filloi rënia e shpejtë e tyre për dy arsye.

Së pari, kreditimi i shpejtë u shoqërua me rritje të kredive me probleme, që për disa arriti në 40-50% të totalit të huasë. Së dyti, pas krizës së borxhit të Greqisë, bankat mëmë filluan tërheqjen graduale nga rajoni. Në vitin 2012, Emporiki u shit te francezët e Credit Agricolë dhe kjo e fundit, në maj 2015, u shit te Tranzit/NCH capital (ABI Bank). Në fillim të 2018-s u shit edhe NBG po te ABI Bank, ndërsa në shitje është edhe Tirana Bank. Pas daljes së Tirana Bank, pesha e bankave greke pritet të reduktohet në rreth 5%.

Login to post comments