Kujdes çfarë konsumoni, bllokohen 180 kg djathë i rrezikshëm

Diel, 22 July 2018 13:18

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar në tregun Agro-Ushqimor në Tiranë, rreth 180 kg produkt djathi, i cili rezultoi që në përbërje të tij kishte niseshte.

Sipas këtij auttoriteti nga inspektimet u konstatua që subjekti me Nipt L52026101D ishte furnizuar sipas një fature të thjeshtë tatimore Nr. 2 datë 15.7.2018, nga subjekti Alfred Hila në Shkodër me Nipt K46823021D. Nisur nga ky kontroll, DRAKU Shkodër nisi menjëherë inspektimin në subjektin e lartpërmendur, nga ku konstatoi që subjekti, me Nipt K46823021D, kryente veprimtari në kundërshtim me ligjin, pasi nuk zotëronte asnjë dokumentacion shpjegues për gjurmueshmërinë e produkteve.

Sipas ligjit në fuqi, çdo subjekt ka detyrim ligjor për të patur të dhëna të plota e dokumentuara për lëndën e parë të furnizuar dhe për çdo furnizim për të tretë, me produktin përfundimtar të kryer. Menjëherë nga trupa e inspektorëve të AKU Shkodër u mor masë administrative ndaj këtij subjekti si dhe u vendos masa e bllokimit të produktit djathë të falsifikuar, i cili sipas proçedurës do të asgjesohet.

AKU gjykon që është e dukshme kryerja e vepres penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, dhe këtë rast do e depozitojë me shkresë në Prokurori, në kuadër të bashkëpunimit operacional.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, garanton të gjithë konsumatorët që do të vazhdojë të jetë viligjente, duke forcuar dhe vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat dhe instrumentët e duhura institucionale, me qëllim garantimin dhe fuqizmin e sistemit të gjurmueshmërisë dhe sigurisë ushqimore.

Modifikuar më Diel, 22 July 2018 13:30
Login to post comments