Efektet sezonale, valutat i rikthehen rënies

Hënë, 23 July 2018 15:07

Monedha e përbashkët e ka nisur javën me një rënie të lehtë, ndërsa më e fortë ka qenë tkurrja e dollarit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.8 lekë, duke rënë me 0.04 lekë në raport me fundin e javës së kaluar, duke shënuar të tretën ditë me rënie.

Megjithatë luhatjet kanë qenë të lehta, dhe euro ka mbetur relativisht e qëndrueshme javët e fundit në rreth 126 lekë, që pas ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar tregun në fillim të qershorit, pasi euro zbriti në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vite.

Më e fortë ka qenë gjatë ditës së sotme rënia e dollarit, që ra më 0.47 lekë në 105.71 lekë.

Ekspertët pohojnë se arsyet kryesore të rënies së valutave lidhen me efektet sezonale për shkak të të ardhurave nga turizmi. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur sot se, numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri për 6-mujorin shënoi një rritje prej 9.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aktorët e tregut valutor presin që euro të jetë e dobët edhe në gusht, periudhë që përkon me ardhjen e emigrantëve.

Që nga fillimi i vitit kur këmbehej me rreth 134 lekë, euro ka humbur rreth 8 lekë në tregun e brendshëm, duke shënuar zhvlerësimin më të lartë të 10 viteve të fundit.

Login to post comments