Në një lidhje direkte nga Greqia me gazetarin Alen Xhelili në studion e SYRI.net, ish-drejtues i Federatës së Shqiptarëve në Greqi, përfaqësues i Organizatës ‘Jeta’ Etmond Guri, është shprehur se dyshohet se një familje shqiptare ka humbur në zonën ku kanë rënë zjarret.
Duke mos dashur për të shkaktuar panik tek familjet e emigrantëve shqiptarë, Guri nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me këtë ngjarje, që nëse konfirmohet është një tragjedi e vërtetë.
‘Një familje shqiptare është e humbur. Ata kanë humbur kontaktet që gjatë natës dhe askush nuk ka mundur të kontaktojë me ta.
Bëhet fjalë për dy prindërit dhe dy fëmijët, të cilët janë me origjinë nga një qytet i jugut të Shqipërisë.
Ata kanë një shtëpi 3-katëshe në këtë zonë. Nuk po jap më shumë detaje sepse nuk duam që të shkaktojmë panik’, është shprehur Etmond Guri në një lidhje direkte nga Greqia me studion e SYRI.net.