Nuk rimbursohet TVSH-ja – Eksportuesit, 9 muaj pa marrë pagesat

E mërkurë, 25 July 2018 07:10

Në kushtet e zhvlerësimit të euros dhe mungesës së likuiditetit që u krijua dhe që dëmtoi bizneset eksportuese, kompanitë që ushtojnë veprimtari në eksport nuk kanë marrë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), prej 9 muajsh.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, bën me dije për TV SCAN, se kjo ka ndodhur për shkak se Tatimet nuk kanë fond të mjaftueshëm për të rimbursuar TVSH-në, duke i krijuar një tjetër vështirësi kompanive eksportuese.
Ndërsa ka edhe nga ato biznese që u është aprovuar kërkesa e dytë për rimbursim, ndërsa ende nuk u është likuiduar fatura e parë. Sipas tij në këto kushte, mbështetja e vetme që mund ti japë qeveria këtyre subjekteve, është që t’u japë paratë e veta.
Janë mbi 1 mijë kompani eksportuese që nuk kanë marrë rimbursimin, i cili jepet për makineritë dhe pajisjet si dhe blerjen e lëndëve të para brenda vendit. Duket që edhe pse ky proces është lehtësuar nga pikëpamja ligjore, sërish vijon të mbetet një problem për eksportuesit.
Sipas legjislacionit në fuqi, tatimpaguesit eksportues ose personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë, rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.
Referuar shifrave të Ministrisë së Financave eksportet në 5-mujorin e parë të vitit, janë rritur me 18.4 për qind. Ndërsa, dëmi që kursi i këmbimit ka shkaktuar në të ardhurat në buxhet për periudhën Janar-Qershor 2018 është regjistruar në vlerën e 3.6 miliardë lekëve.

Modifikuar më E mërkurë, 25 July 2018 19:41
Login to post comments