Si u arrestua “i forti” i Shkodrës në Kakavijë, me vete kishte…

E Enjte, 26 July 2018 08:04

Lulzim Kulla, një emër i njohur për Policinë dhe që mbeti i plagosur në një atentat të ndodhur në fillim të këtij viti në Shkodër, u arrestua dje nga Policia e Gjirokastrës.

Biznesmeni 43-vjeçar u ndalua në Pikën Kufitare të Kakavijës, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë me pasaportë false. Sipas Policisë, Kulla ka përdorur një pasaportë false, e cila në fakt është bllokuar me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës Durrës para katër vitesh, pasi bëhet fjalë për vjedhje identiteti.


Ar-543x365

Lulzim Kulla, i cili në janar mbeti i plagosur rëndë pas një shpërthimi të telekomanduar në qytetin e Shkodrës, ka paraqitur në pikën kufitare një pasaportë me emrin Alfons Deda. 43-vjeçari ishte pasagjer në një makinë “Audi” dhe në momentin e ndalimit nga Policia mësohet se nuk ka bërë rezistencë.

Për këtë pasaportë, Prokuroria e Durrësit, në korrik të vitit 2014, ka nxjerrë urdhër për bllokimin e saj si dhe poseduesit të saj. Ai u shoqërua nga shërbimet e Policisë drejt Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Lulzim Kulla rezulton se në korrik të vitit 2014 është pajisur me një pasaportë me të dhëna të falsifikuara. 43-vjeçari ka aplikuar me shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e tij, por me emrin Alfons Deda, për pasaportë në Durrës, duke përdorur kështu identitetin e një personi tjetër. Pasi Kulla ka tërhequr pasaportën, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e tij nuk përkojnë me identitetin e dhënë.

shkoder-shperthimi-motori-makina-bukur

Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit lëshoi urdhër në korrik të vitit 2014 për bllokimin e kësaj pasaporte në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kulla u vu në qendër të vëmendjes së publikut në janar të këtij viti, kur u bë objekt i një atentati me tritol në qytetin e Shkodrës.

Rreth 500 gramë C4 u vendos në një motoçikletë të parkuar afër fuoristradës së tij, ndërsa shpërthimi i shkaktoi djegie në 25 për qind të trupit. Në atë kohë, Kulla deklaroi për Policinë se “nuk i njihte autorët dhe nuk kishte dyshime se kush mund ta kishte vendosur tritolin”. Ai njihet dhe për shkak të së kaluarës së tij, pasi emri i tij lidhet me disa ngjarje kriminale, por që në fund nuk është dënuar. 43-vjeçari ka pasur dalje të rralla, ndërsa tentoi të kalonte kufirin me identitet të rremë pa qenë në dijeni se prej 4 vitesh identiteti i vjedhur ishte pjesë e sistemit TIMS.

“I FORTI I SHKODRËS”

Kulla konsiderohet si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët në Shkodër duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare. 43-vjeçari njihet si person i dhunshëm dhe se ka detyruar shumë biznesmenë që të mbyllin aktivitetin e tyre, madje shumë të tjerë edhe janë detyruar që të largohen nga qyteti i Shkodrës. Kulla akuzohet se ka marrë pjesë në torturimin deri në vdekje të një prej tregtarëve, që nuk i është bindur diktatit të tij. Bëhet fjalë për një tregtar që merrej me shitjen e gazit, për vdekjen e të cilit nuk pati asnjë autor.

shkoder-840x440

43-vjeçari është një nga të arrestuarit për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit. Edhe pse konsiderohej si një prej organizatorëve për kultivimin e një sasie të madhe të bimëve narkotike, ai u la i lirë pas vetëm 6 muajsh. Në operacionin dyditor të gushtit 2016, u zbuluan mbi 40 parcela me kanabis me mbi 10 mijë rrënjë. Ndonëse Policia arrestoi shumë persona të akuzuar si organizatorë të kultivimit të bimëve, mes së cilëve ishte dhe Lulzim Kulla, shumë prej tyre u lanë të lirë për mungesë provash.

Login to post comments