Është dëgjuar shpesh, të paktën në vendin tonë, që kur një çift nuk arrin të ketë fëmijë, ofrohet një i afërm që të bëjë një fëmijë për të dhe t’ia dhurojë, në mënyrë që të kenë të njëjtin gjak, si prindërit rritës edhe foshnja.
Por një situatë e tillë është shënuar me incidente në Elbasan, ku 30-vjeçari Ç.Kasa, nga fshati Reçan, i ka vënë zjarrin shtëpisë së vjehrrit, pas debatit të lindur mes tyre pas lindjes së djalit.
30-vjeçari i cili ishte martuar dhe kishte një vajzë 4 vjeçe, pas lindjes së djalit kishte vendosur t’ia dhuronte të vëllait, i cili nuk bënte dot fëmijë.
Pas lindjes së foshnjës, ai ia dha të vëllait, por ky veprim i tij, duket se nuk ka gjetur dakordësinë e prindërve të nuses.
Kjo pasi vjehrri M.S., 63 vjeç, i ka kërkuar Kasës që mos t’ia jepte djalin të vëllait, pasi ai ishte trashëgimtar, duke i thënë që të bënte një fëmijë të tretë për të vëllanë.
Por në debate e sipër situata është tensionuar, pasi 63-vjeçari insistonte se djalin ia kishte dhënë të vëllait, pa miratimin e së bijës, e cila e donte me ngulm një djalë.
Kështu në debate e sipër, 30-vjeçari ka lyer me benzinë shtëpinë e vjehrrit duke i vënë flakën.
Ndonëse banesa u dogj, fatmirësisht familjarët nuk pësuan dëmtime.
Pas kësaj i riu u vu në pranga nën akuzën e veprave penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Dhuna në familje”.