Pse borxhi 70% është i keq, rreziqet që i kanosen ekonomisë

Hënë, 30 July 2018 06:56

Nga Suzana Guxholli

Pedagoge në universitetin e New York-ut

Jo vetëm ekspertët vendas dhe polotika, por të gjitha institucionet financiare dhe ekonomike, së fundmi kanë rritur nivelin e alarmit për borxhin publik të Shqipërisë.
Veç FMN-së dhe Bankës Botërore, edhe Komisioni Evropian ngre të njëjtin shqetësim për nivelin e lartë të borxhit publik të vendit.
Në raportin e tij të fundit mbi  Programin e reformave ekonomike në vendet që synojne integrimin evropian, KE rendit Shqipërinë të parën për nivelin më të lartë të borxhit ndër të gjitha këto vende.
Niveli 70 % të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar konsiderohet negativ nga pikpamja makroekonomike afatmesme e afatgjatë, sepse “është e lidhur me normën e interesit dhe rreziqet e kursit të këmbimit” thuhet në raport.
Pse ky shqetësim institucional dhe profesional në lidhje me borxhin e lartë publik të qeverisë shqiptare?
Dihet që borxhi publik tregon, se sa një vend ju detyrohet të tretëve (qofshin këta individë, biznese apo qeveri) duke matur faktin që një qeveri shpenzon më shumë nga sa mbledh.
Por nga ana tjetër është një instrument i domosdoshëm dhe i pashmangshëm i menaxhimit dhe drejtimit financiar e monetar të një vendi.
Teoritë ekonomike sipas të ashtuquajturit rregull i artë, përcaktojnë që një normë vjetore e borxhit publik: borxh publik/PBB (produkti brendeshëm bruto) rreth 40% është e shëndetshme për ekonominë e vendit, dhe konsiderohet si e tillë deri në kufirin 60%. Pas këtij kufiri ndizen dritat e alarmit për qëndrueshmërinë makroekonomike dhe zhvillimin ekonomik të një vendi.
Borxhi është i shëndetshëm kur përdoret për investime kapitale publike të integruara, që nxisin rritjen ekonomike, e jo për shpenzime korente e investime klienteliste, të shkëputura e në kohë zgjedhore kryesisht.
Afatshkurtër rritja e borxhit publik shfaqet pozitive sepse injekton para në ekonomi për zhvillim të shpejtë. Mundëson investime publike dhe nxit ato të huajat dhe të vendit me anë të normave të interesit.
Por efektet e borxhit publik duhen parë afatmesëm e afatgjatë gjithashtu.
Borxhi publik i lartë në afatgjatë ndikon në rritjen ekonomike negativisht.
Sipas ekonomistëve ” taksat dhe borxhi janë konsum i munguar, i humbur. Ndërsa taksat e larta janë konsum i munguar sot, borxhi publik i rritur është një konsum i munguar i së ardhmes”. Pra borxhi publik është një kosto që u lihet brezave të rinj për të ardhmen, kosto që do të shoqërohet me uljen e të ardhurave personale dhe në mundësitë e punësimit.
Borxhi i ka pasojat e pakuptueshme dhe jo lehtë të dukshme e të llogaritshme, për popullin.
Por për fat të keq në afatmesëm e afatgjatë ato shfaqen si barrë e tij; në ulje të standarteve të jetesës si papritmas.
Sepse borxhi publik, ul ritmet e rritjes ekonomike duke thithur kursimet private që rriten për të perballuar kostot e rritura të së ardhmes, në vend që të investohen sot, ul pagën neto të punonjësit, ul kapitalin në përdorim e për pasojë produktivitetin e punës, bazën e rritjes ekonomike.
Rritja e borxhit dobëson në maksimum aftësine e qeverisë për përdorimin e politikave fiskale, sepse sjell si pasojë rritjen agresive të taksave në mos sot shumë shpejt në të ardhmen.
Rritja e borxhit mbi kufinjtë e lejuar, 60%, ka për pasojë humbjen e besimit të investitorëve tek qeveria, përsa i takon aftesisë së saj në menaxhimin e qëndrueshëm të buxheteve, norma e interesit rritet e për pasojë sjell rritjen e kostos së financimit të borxhit duke bartur rrezikun e krizave fiskale.
Studime të shumta dhe kriza e fundit botërore kanë treguar që rritja e borxhit publik ndikon dukshëm në rritjen ekonomike të një vendi. Pra rritja e borxhit publik është shqetësuese për vendin dhe institucionet financiare dhe ekonomike që mbikqyrin dhe mbështesin zhvillimin ekonomik e financiar, sepse kjo rritje borxhi dëmton ekonominë në disa drejtime si:
Uljen e investimeve private nga rritje e huamarrjes qeveritare, norma e interesit që rritet, taksimin agresiv të individit e biznesit, uljen e besimit të investitorëve sepse rritet pasiguria e reziku i investimit.
Kriza ekonomike botërore tregoi që marrëdhënia borxh publik dhe rritje ekonomike është një proces i ndërlikuar më shumë variabla që duhen konsideruar në dinamikën e tyre dhe në konteksin e çdo vendi e të zhvillimit të tij. Prandaj dhe pse pak më parë u deklarua rritje ekonomike 4,5%, është i dukshëm dhe i debatueshëm fakti sepse siç e kemi analizuar dhe më parë kjo rritje nuk është rritje e qëndrueshme nga faktorë të brendshëm si: rritja e produktivitetit, e investimeve të huaja direkte, e shoqëruar me rritje të vërtetë eksportesh dhe punësimi. Rritja është rastësore, nga faktorë të jashtëm si rreshkët që rriten exportet nga energjia 50%, nga rritja e çmimit të mineraleve etj.
Forcimi i lekut i pashpjegueshëm nga ekonomistët kur euro dhe dollari janë të fortë në vetvete, etj.( fuqizimi i lekut afatshkurtër duket si favorizues për koston e borxhit, por afatmesëm e afatgjatë e kemi shpjeguar që është me pasoja negative se ul produktivitetin, ul prodhimin vendas, ul investimet, ul punësimi. Etj) Pra ekonomia shqiptare i ka treguesit jo shpresëdhënës përsa i përket stabilitetit makroekonomik e zhvillimit të saj të qëndrueshëm afatmesëm e afatgjatë, prandaj shprehet ky shqetësim si nga brenda dhe nga jashtë vendit, sigurisht jo nga pushteti. Afrimi i fushatës zgjedhore rrit nivelin e alarmit në drejtim të menaxhimit të borxhit publik kaq të lartë. Ekonomix.al

Login to post comments