Nuk po rimbursohet TVSH-së. Eksportuesit: 8 muaj vonesa, do i drejtohemi gjykatës

Hënë, 30 July 2018 07:10

Në 22 qershor të 2016, qeveria do të miratonte vendimin për rimbursim automatik të TVSH-së për eksportuesit. E thënë ndryshe, nëse tatimet nuk i kthenin lekët biznesit, atëherë brenda 30 ditësh bëhet likuidimi nga thesari.

2 vite më pas, ky vendim është harruar. Problemet me mosrimbursimin në kohë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar janë shfaqur sërish. Denoncimi bëhet nga eksportuesit. Sipas kreut të Shoqatës së Eksporteve, Alban Zusi kompanitë presin deri në 8 muaj për të marrë paratë e tyre nga tatimet. Sipas tij, edhe pse ligji parashikon rimbursim automatik brenda 30 ditësh,  aktualisht ky proces nuk bëhet.
Bëhen kontrolle. Aprovohet kërkesa. Cregjistrohet nga sistemi sikur është likuiduar dhe në fakt, kalojnë edhe 7 dhe 8 muaj dhe likuidimi nuk bëhet. Madje, ka raste që subjektet bëjnë edhe kërkesën e re dhe ende nuk janë likuiduar për kërkesënë e vjetër.
Përgjigja që marrin eksportuesit kur interesohen pranë sektorit përkatës të rimbursimit është: kemin shumë kërkesa për tëv realizuar. Fondi është i limituar, ndaj do të prisni. Kjo përgjigje është e paligjshme, pasi në asnjë pikë të legjislacionit apo akteve të tjera legjislative, rimbursimi nuk është i lidhur me disponibilitetin e fondeve, por vetëm me kritere të përcaktuara kohore.
Madje, është e parashikuar, që kur rimbursimi nuk kryhet në kohë, biznesi duhet të marrë edhe interesa nga shteti, njësoj sic paguan interesa, nëse paguan detyrimet me vonesë”, deklaron Zusi.
Eksportuesit deklarojnë se borxhet e tatimeve ndaj biznesit arrijnë në dhjetëra mijëra euro për subjekt, detyrime këto që i kanë vendosur në vështirësi financiare kompanitë, që të dëmtuara edhe nga zhvlerësimi i euros, nuk kanë likuiditet.
“Këto lloj detyrimesh të papaguara arrijnë në dhjetëra mijëra euro për një subjekt dhe në kushtet e rënies së euros, e rrjedhimisht mungesës së likuiditeteve nga bizneset eksportuese, minimumi që mund të bëjë qeveria për të lehtësuar situatën e rënduar të tyre është që të zbatojë ligjin dhe të rimbursojë TVSH-në rregullisht, duke lehtësuar kështu sado pak krizën e likuiditeteve të bizneseve eksportuese”, shprehet Zusi.
Kreu i Qendrës së Eksporteve deklaron se kompanitë do t’i drejtohen sistemit gjyqësor për të marrë paratë që u takojnë.
“Eksportuesit po bëhen gati që pas adresimit administrativ të problemit, të fillojnë ta kërkojnë të drejtën e tyre edhe në rrugë ligjore”, shprehet Zusi.
Duke mosrimbursuar në kohë TVSH-në, bizneset nuk kanë likuiditet për të vazhduar aktivitetin e përditshëm të tyre, për të bërë porosi apo paguar punonjësit.

Login to post comments