Shteti gatitu për Fusha shpk, mbi €43 milionë kontrata nga pushteti lokal

Premte, 03 August 2018 15:34

Fusha shpk ka përfituar të paktën rreth 30 milionë euro kontrata nga pushteti lokal gjatë periudhës korrik 2015—korrik 2018. Të paktën rreth 13 milionë të tjera Fusha i ka përfituar nga pushteti lokal, në të njejtën periudhë kohe, së bashku me kompani të tjera, me të cilat ka fituar kontrata si bashkim kompanish. Rreth 10 milionë euro të tjera, pritet që kompania të përfitojë në muajt e ardhshëm nga kontrata të fituara, por që nuk kanë filluar të zbatohen.

Të dhënat e Open Data Albania (ODA) rreth prokurimet publike të bashkive të vendit tregojnë se Fusha ka përfituar të paktën 3,6 miliardë lekë kontrata individuale nga bashkitë e vendit dhe të paktën 1,5 miliardë lekë kontrata të përbashkëta me kompani të tjera. Duke analizuar të dhënat e ODA-s, Exit.al ka vërejtur se Bashkia Tiranë ka qenë institucioni kryesor i kontratave individuale për Fusha shpk.

Duket se me ardhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë, Fusha shpk është kthyer në kontraktor thuajse ekskluziv të Bashkisë Tiranë. Me Veliajn kryebashkiak, Fusha ka fituar të paktën 28 kontrata me një vlerë mbi 3,3 miliardë lekë ose mbi 27 milionë euro. Sipas ODA-s, 13 prej këtyre kontratave kanë qenë me prokurim të drejtpërdrejtë ose me probleme në tendera. Pothuajse gjithë të tjerat gjithashtu kanë dyshime për konkurrencë fiktive.

Kontratat kryesore kanë qenë rindërtimi i Sheshit Skënderbej, ndërtimi i parkimit nëntokësor nën Sheshin Skënderbej. Për veprën e parë Bashkia Tiranë realizoi një tender fiktiv ku u kualifikua vetëm Fusha, kurse për parkimin, Fusha u kontraktua me negocim të drejtpërdejt, në shkelje të ligjit. Fusha shpk ka gjithashtu një kontratë tre vjeçare (2017-2019) për pastrimin e një pjese të Tiranës me vlerë vjetore mbi 2 milionë euro në vit, e cila shtohet me qindra mijëra euro thuajse çdo vit përmes shtesave të kontratave ose kontraktime të drejtpërdrejta për pastrime të caktuara. Edhe në vitin 2016, Fusha ka patur një kontratë pastrimi me Bashkinë Tiranë, fillimisht me vlerë rreth 1,4 milionë euro, e cila përmes dy shtesave të kontratës arriti praktikisht në 1,9 milionë euro.

Mbi 2 milionë euro Fusha është paguar nga Bashkia Tiranë për mbjelljen e pemëve në autostradën Tiranë-Durrës. Mbi 300 mijë euro Fusha është paguar për rindërtimin e Amfiteatrit të Parkut të Liqenit. Shërbimet që Fusha i ofron Bashkisë Tiranë janë të shumëllojshme dhe përfshijnë, ndër të tjera, ndërtime rrugësh dhe sheshesh, asfaltime, pastrim të qytetit dhe objekteve të tjera, blerje dhe mirëmbajtje koshash dhe stolash në parqe, vendosje kangjellash, etj.

Sikurse dihet, Fusha shpk është paracaktuar nga Kryebashkiaku Veliaj dhe Kryeministri Rama për zhvillimin e zonës pas godinës së Teatrit Kombëtar, në një marrëveshje të dyshimtë korruptive ku Fushës që zotëron vetëm rreth 298 metra aktrore tokë do t’i falën nga Bashkia Tiranë mbi 1300 metra katrore dhe mijëra metra të tjera nga toka aktuale e Teatrit në pronësi të qeverisë, me justifikimin se, në shkëmbim, Fusha do të ndërtojë një godinë të re për Teatrin Kombëtar.

Fusha shpk duket se ka marrëdhënie po ekskluzive me Bashkitë Roskovec dhe Vorë, nga të cilat ka përfituar gjatë periudhës tre vjeçare, respektivisht kontrata me vlerë 2,3 milionë euro dhe 1,9 milionë euro, të cilat janë shumë të mëdha duke patur parasysh buxhetet e kufizuara të këtyre bashkive.

Ndërkohë Fusha, në mars 2018, Fusha shpk fitoi një tender me vlerë mbi 7,5 milionë euro për rindërtimin e bulevardit të Vlorës, por punimet nuk kanë filluar ende dhe lëvrimi pritet të fillojë në fund të këtij vitit. Nga të dhënat e ODA-s të analizuara nga Exit.al, rezulton gjithashtu se në periudhën korrik 2015-korrik 2018 Fusha shpk ka fituar si bashkim kompanish të paktën 12 kontrata të mëdha nga bashki të ndryshme të vendit me vlera totale rreth 13 milionë euro.

Me firmën Everest shpk, Fusha ka realizuar rindërtimin e sheshit në hyrje të Portit të Durrësit, projekt i njohur si Veliera, me vlerë rreth 3,7 milionë euro. Me Bajrami shpk, kompania ka realizuar rehabilitimin e sheshit pranë Mauzoleumit në Durrës me vlerë rreth 2,3 milionë euro. Me firmën Colombo shpk ka rindërtuar shkollën Ali Demi në Vlorë me vlerë mbi 1,3 milionë euro, shumë e lartë për rindërtim godine shkolle. Me Besta shpk, Fusha ka realizuar rehabilitimin e zonës përreth lumit Osum dhe mbrojtjen e Urës Vajgurore nga përmbytjet me vlerë 1,2 milionë euro.

Modifikuar më Premte, 03 August 2018 15:52
Login to post comments