×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Sigurimi i jetës – Rritje modeste për 6-mujorin e parë

Saturday, 04 August 2018 13:51

Tregu i sigurimit të jetës shfaqi ritme modeste të rritjes gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të qershorit primet e shkruara bruto të sigurimit të jetës kishin vlerën e 573 milionë lekëve, me një rritje modeste prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aktiviteti i jetës vazhdon të mbajë një pjesë modeste kundrejt volumit total të tregut të sigurimeve në Shqipëri, me rreth 7.5% të primeve të shkruara bruto.

Ecuria e tregut gjatë gjysmës së parë të këtij viti është frenuar ndjeshëm nga rënia në produktin kryesor, atë të sigurimit të jetës së debitorit. Primet nga ky produkt kanë rënë me 7% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017. Si një produkt i detyrueshëm, jeta e debitorit zë rreth 60% të primeve totale në sigurimin e jetës.

Në klasat e tjera të sigurimit vërehen ritme të kënaqshme të rritjes, ku produktet me rritjen më të lartë ishin jeta e kombinuar dhe jeta në grup. Megjithatë, tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri ngelet shumë i vogël, ndërsa produktet e mirëfillta vullnetare janë pothuajse të papërfillshme për nga pesha e tyre.

Në aktivitetin e sigurimit të jetës veprojnë tre kompani. Tregu edhe këtë vit dominohet nga Sigal Life, me 63% të primeve, e ndjekur nga SiCRED me 21% dhe Insig Life me 16%.

Login to post comments