Në muajin shtator do të nisë puna nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për vendosjen e dy matësave të energjisë, për subjektet që prodhojnë dhe tregtojnë bukë, por edhe produkte të tjera brumi dhe ëmbëlsirash.
Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave, Gëzim Peshkëpia, i cili thekson, se kjo ka qenë një kërkesë e kahershme e prodhuesve të bukës, pasi energjia do të ketë dy çmime: Për prodhimin e bukës si dhe për tregtimin e ëmbëlsirave apo nënprodukteve të brumit.
Sipas Peshkëpisë, çmimi i energjisë elektrike që duhet të paguajnë furrat e prodhimit të bukës është 7.6 lekë për kilovat/orë ndërsa çmimi i energjisë për ambientin ku mbahen frigoriferët ku ruhen produktet e ëmbëlsirave apo brumrave, është 14 lekë për kilovat/orë.
“Nga muaji shtator do të nisë puna për vendosjen e dy matësave të energjisë për furrat e bukës. Njëri matës do të vendoset tek objektet e prodhimit të bukës, që do vijojë të paguhet me 7.6 lekë për kilovat orë, ndërsa matësi tjetër do të jetë në ambientet e shitjes, ku çmimi i energjisë do të jetë 14 lekë për kilovat orë” thotë Peshkëpia.
Ai shprehet, se çmimi do të ishte mirë të ishte i njëjtë, madje pati edhe një propozim që ai të jetë 8.6 lekë për kilovat orë, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
“Ne kërkuam në mbledhjen e asamblesë sonë, që çmimi të ishte 8.6 lekë, por Enti Rregullator i Energjisë dhe Ministria e Energjetikës nuk na e mori parasysh” thotë ai.
Sipas Peshkëpisë, vendosja e matësave duhet të fillojë në 1 shtator dhe kjo zgjidhje të jetë institucionale, pasi kështu prodhuesi shmang zgjidhjet individuale. Po ashtu, kërkohet që instalimi i matësve duhet të vendoset fillimisht tek furrat e bukës që kanë kaluar në pagesën 14 lekë për kilovat dhe më pas tek furrat e reja.
“Furrat e bukës që nuk kanë bazë frigoriferike të paguajnë energjinë me 7.6 lekë për kilovat/orë ndërsa furrat e tjera që kanë edhe baza frigoriferike të paguajnë 14 lekë për kilovat/orë. Kjo është zgjidhja më optimale” thekson Peshkëpia.
Sa i përket konsumimit të bukës, që te shqiptarët është një nga ingredientët më të kërkuar, Peshkëpia thotë, se ka ardhur koha që qytetarët të mos kërkojnë prerjen e bukës, pasi kështu produktit i humbasin shumë vlera ushqyese.
“Ne do të nisim edhe një fushatë ndërgjegjësuese për konsumatorin, në mënyrë që ai të mos kërkojë bukën e prerë, por t’a marë atë në formën e pjekur. Edhe sipas ekspertëve, proceset kimike nuk ndikojnë mirë në bukë, pasi humbasin shumë vlera. Thikat e bukës konsumohen dhe metali i thikave shkon në bukë. Sa më pak t’a presim bukën dhe sa më shumë t’a ruajmë formën natyrale të saj, aq më mirë do të jetë për konsumatorin” thotë ai.