Ministria e Arsimit ka ndryshuar ligjin për arsimin e lartë, duke përcaktuar kriteret e reja që duhet të plotësojnë mësuesit, për të marrë emërimin si dhe 3 kushtet që duhet të plotësojë çdo praktikant, përpara se të kalojë në fazën e emërimit.
MAS a ndryshuar nivelin e diplomës që duhet për t'u bërë mësues, si dhe 3 kushtet që duhet të plotësojë çdo kandidat, përpara se të kalojë në fazën e emërimit, në portalin “Mësues për Shqipërinë”
Niveli i diplomave:
Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, që formon mësues të arsimit fillor, ose diplomë për arsimin fillor të ish-instituteve të larta pedagogjike.
Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe për arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe diplomën e ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën e mësuesisë, që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.
Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psikopedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar.
Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën psikopedagogjike përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Kushtet:
Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët dhe i arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesi me diplomë të ngjashme ose të përafërt me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar ushtron profesionin pasi: a) të ketë kryer me sukses praktikën profesionale; b) të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij.
Emërimi:
Në institucionin arsimor publik, përfshirë dhe atë parashkollor, pranimi dhe emërimi i mësuesit në një vend të lirë pune mbështetet në parimin e meritës dhe të drejtën për zgjedhjen e institucionit arsimor. Emërimi i mësuesit bëhet nga drejtori i institucionit arsimor, sipas renditjes në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Procedurat e pranimit e të emërimit të mësuesit në një vend të lirë pune, si dhe administrimi i portalit “Mësues për Shqipërinë” përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit.