1968: Ka diçka irracionale në këtë vit, diçka që të shket dhe njëkohësisht të josh. Një vit bymyes në vetvete, i shtrirë dhe i pakontrollueshëm, mendon shkrimtari bullgar Georgi Gospodinov.
Ndonjëherë më duket, sikur ky vit ka zgjatur më shumë se të tjerët ose sikur ai përpinte si një gropë e zezë gjëra, që nuk kishin ndodhur në vite të tjera. Shpesh ne kemi tendencën të themi: "A nuk ka qenë kjo më 1968?"
Mua më kujtohet kjo në mënyrë kaq të detajuar vetëm për arsyen, se unë kam lindur pikërisht në ditën e shtatë të këtij viti. Kjo bën, që unë si pjesë e asaj që ka ndodhur e asaj që nuk ka ndodhur asokohe në një farë mënyre të ndihem bashkëpërgjegjës.
Janar
Më 5 janar Dubçek u bë sekretari i parë i Partisë Komuniste në Çekosllovaki. Dy ditë më vonë nëna ime pati dhimbje të forta barku, prej nga linda unë, e që nga ky çast unë mund të flas në të tashmen. Në të njëjtën ditë George Harrison udhëton për në Bombej, pak më vonë pasojnë edhe tre Beatles-at e tjerë.
Shkurt
Beatles janë në Indi, ata meditojnë tek Maharishi, lëvizin të veshur me veladonët e bardhë, dhe për këtë arsye nuk ndodh asgjë tjetër e veçantë në pjesën tjetër të botës. Në Bullgari asgjë për t'u shënuar. Ah, po, për stinën që është krahasuar me vitetet e tjera është disi më ngrohtë (5-9 Grad Celsius). Kam harruar diçka. Një delegacion i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bullgarisë me shokun Todor Zhivkov në krye udhëton për të marrë pjesë në festimet në Pragë, e ku ky i fundit, por në fakt i pari mban një fjalim.
Mars
Më 27 mars kozmonauti sovjetik Juri Gagarin gjen vdekjen prej rrëzimit të një avioni. Për shkak të mungesës së informacioneve të mëtejshme u përhapën të gjitha thashethemet e mundshme mbi vdekjen e tij, madje duke përfshirë edhe të tilla sikur atë e kishin marrë jashtëtokësorët. Babai im për herë të parë udhëton me avion. Ai mbijetoi. Ne blemë një "Opera", të parin televizor bullgar. Pa shih këtu, bota është në fakt bardh e zi. Këtej e tutje ne gjatë gjithë vitit 1968 mund të shohim televizor. Ose një version të përpunuar të tij.
Prill
Në SHBA vritet Martin Luther King. Në Pragë është pranverë. Pavarësisht kësaj nëna ime blen fundin e parë të saj mini, ndonëse gazeta "Rabotničesko delo" (edhe babai im kështu supozon) pretendon, që fundi mini nuk është më aspak në modë.
Maj
Më 6 maj fillojnë trazirat në Paris. Në Quartier Latin zhvillohen përleshjet e para në rrugë mes studentëve dhe policisë. Derdhet gjak. Në të njëtën ditë në Bullgari është zyrtarisht dita e blegtorit - ndërsa jozyrtarisht është dita e Shën Gjergjit dhe theren qingjat. Derdhet gjak.
Nga 20 deri më 22 maj në Sofje zhvillohet kongresi i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve. Një skandal i fshehtë rreth fjalimit të të ftuarit çek Pujman. Në banketin e mbylljes së kongresit Dr. T. Zhivkov mban një fjalim. Ai nis me fjalët "Të dashur shoqe dhe shokë" dhe mbaron me "Gëzuar shoqe dhe shokë". (Pesë herë përmendet konsonantja "N" - gjithsej dhjetë herë të dyja replikat. Nëse "N" e bën gjuhën më të gëzueshme dhe revolucionon fonetikën? Apo është kjo një shifër sekrete, që përmban instruksione vetëm për komunistët ...)
Qershor
Robert Kennedy vritet. Më 17 qershor në Londër zhvillohet premiera e filmit "Yellow Submarine". Zyrtarisht hiqet censura në Çekosllovaki. Më 27 qershor publikohet "Manifesti i 2000 fjalëve" në "Literární listy". Censura në Bullgari pengon që censura në Bullgari të kuptohet. Në të njëjtin vit, pa qenë i sigurt për muajin, në furrat e Kombinatit Poligrafik digjet libri satirik "Peperoni" nga Radoj Ralin dhe Boris Dimovski.
Studentët bullgarë përgatiten sistematikisht për Spartakiadën Botërore të të Rinjve dhe Studentëve. Në stadiumin kombëtar natë e ditë bëhen prova. Mijëra djem e vajza me shirita e pëlhura shndërrohen njëkohësisht në një yll me pesë cepa, që pas një sinjali të caktuar kthehet automatikisht në një drapër e çekan. Më pas drapëri dhe çekani godasin me krahë e del - eh, një pëllumb paqeje, i cili më pas përfundon në kokën e Leninit. Koka e Leninit përbëhet nga vajzat, që kanë notat më të mira. Një teze e imja gjatë gjithë jetës do të krenohet, që ajo ka qenë e pozicionuar si pjesë e veshit të një udhëheqësi të proletariatit botëror.
Korrik
Më 18 korrik botohet letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Punës së Bullgarisë, Hungarisë, RDGJ-së, Polonisë dhe Bashkimit Sovjetik drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Çekosslovakisë. Kryeartikulli i "Rabotničesko delo" i së njëjtës datë mbyllet me fjalët "kundërrevolucioni duhet të mposhtet". (katër herë "R", ky është pra kodi për sulmin. Një muaj më vonë udhëzimi zbatohet.)
Në Bullgari është gjithçka e qetë, ne gëzohemi për korrikun e bukur. Më 28 korrik në Sofje hapet Spartakiada e IX Botërore e të Rinjve dhe Studentëve.
Lidhur me këtë nëna ime për herë të parë sheh një student me ngjyrë natyrore, blen pantofla flip-flops dhe studion këngën "Një trëndafil bullgar", që ishte kompozuar enkas për spartakiadën. Me këtë përmbushet pjesëmarrja e saj në revolucionin e 68-ës.
Duke përfituar nga kënga fëminore në Sofje, fshehurazi zhvendosen dy regjimente nga juglindja e vendit diku në Bashkimin Sovjetik. Ato kalojnë atje të maskuar një muaj të tërë.
Mua më ka dalë dhëmbi i parë.
Gusht
Trupat e Traktatit të Varshavës depërtojnë në Çekosllovaki. Beatles publikojnë solon "Hey Jude". Në faqen B ndodhet "Revolution".
Babai im merr një kredi dhe blen një "Warszawa" - një makinë e madhe e fuqishme, (aq e fuqishme sa Traktati i Varshavës) . Një fqinj i tregon babait tim, se kjo makinë do të regjistrohet nga ushtria në listën e objekteve të armatimit dhe që në rast mobilizimi do të vendoset një armë e lehtë mbrojtëse për ta shndërruar atë automatikisht në një autoblindë. E shoferi i saj automatiksiht bëhet shofer i një autoblinde. I njëjti fqinj fshehurazi i përshpërit në vesh babait tim, se në Pragë po kurdiset diçka dhe ne do të duhet t'i çlirojmë ata. Prej kujt - pyet babai im. Prej atyre - përgjigjet fqinji. Unë nuk kuptoj, por e ndjej, që babai im ka frikë nga diçka, që atë mund ta mobilizojnë me "Warszawa" dhe ta nisin në Pragë.
Shtator
Censura e shtypit rivendoset në Çekosllovaki. Nëna dhe babai im abonohen tek revista e kinematografisë "Filmovi novini". Gjyshja ime mbush 80 kavanozë me ajvar, 45 me komposto kajsie dhe 15 me turshi me zarzavate. Ushtarët tanë janë ende në Çekosllovaki.
40 vjet më pas unë kam një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur duke parë për herë të parë raportin e botuar me shkrim të ministrit të Mbrojtjes, në atë kohë gjeneral i ushtrisë Dobri Džurov, lidhur me angazhimin e trupave bullgare në Republikën Socialiste të Çekosllovakisë (një dokument interesant) . Nga tre "organizata kundërrevolucionare" të zbuluara në territorin e mobilizimit të regjimentit tonë të tankeve është "një organizatë ilegale e të rinjve harbutë" dhe tjetra "një organizatë e prostitutave në Banská Bystrica dhe Zvolen, që ka qëllim, përmes afrimit të prostituave tek djemtë tanë të kompromentojë ushtrinë tonë". Regjimenti ynë, natyrisht, është i pakompromentueshëm".
Në të njëjtin raport sekret të 68-ës përshkruhen saktë dhe konkrretisht pasojat e lehta të qendrimeve "armiqësore" të popullsisë vendase kundrejt çlirimtarëve. Nga ushtarët tanë "njeri ka të thyer një kockë të mollëzës, njërit i mungojnë dy dhëmbë, dhe të tjerët janë plagosur lehtë". Dhëmbët e shkulur të palës kundërshtare nuk numërohen.
Tetor
Jacqueline Kennedy martohet me Aristoteles Onassis. Bullgaria mund 2:0 Holandën në ndeshjet eliminatore të Kampionatit të Futbollit. Ne i ndjekim ndeshjet përmes televizorit të ri të markës "Opera".
Ndërsa mua më bëjnë banjë mbrëmjen e 7 tetorit rreth orës 19:30, në radio jepet lajmi: "Nga Shumen oficerëve dhe ushtarëve tanë në Çekosllovaki iu dërguan dymbëdhjetë ton rrush dhe mollë. Në letrën e tyre kooperativistët u shprehin dashurinë e tyre ushtarëve të guximshëm bullgarë, të cilët..." Më tej unë nuk dëgjoj, sepse babai im fillon të llogarisë me zë të lartë, se sa ushtarë e oficerë bullgarë mund të jenë në Çekosllovaki, nëse atyre u dërgohen dymbëdhjetë ton rrush dhe mollë, dhe se sa do të vazhdojnë këto zhvillime, nëse një shifë X ushtarësh e oficerësh hanë një kilogram në ditë. Nëna ia kthen, se ndoshta oficerët kanë racion më të madh, gjë që e bllokoi tërësisht babain tim nga llogaritë që po bënte. Gjyshja ime papritur shpjegon, se ajo po ashtu mund të ndante veç edhe disa kavanozë nga konservat tona për ushtarët tanë.
Numri i saktë i ushtarëve dhe oficerëve bullgarë në Çekosllovaki mësohet 35 vjet më vonë me hapjen e dosjeve sekrete - janë 2.164 forca. Pas kësaj unë marr dhe informacione të tjera, që misioni i tyre atje ka marrë 3 rubla në muaj. Po ashtu gjyshja ime duhej t'ua kish dërguar atyre konservat tona.
Mua më del dhëmbi i dytë.
Nëntor
Beatles-at publikojnë një ndër albumet më të madhërishme të tyre, i cili përmban shumë Indi nga fillimi i viti, bar dhe Yoko Ono (për herë të parë) dhe që ne për mungesë të titullit e quajmë "albumi i bardhë". Këtu bën pjesë edhe "Revolution 9", që i lexuar së prapthi sjell një mesazh satanik dhe i hedh benzinë zjarrit "Paul is dead"- ndjell teoricienët e komploteve, dhe ne të tjerëve na shpëton pa e marrë vesh.
Shkrimtari Upton Sinclair ndërron jetë dhe John Steinbeck e pason atë një muaj më vonë. Unë filloj të ngre dyshimin, që m'u konfirmua 35 vjet më vonë, që viti 1968 është i mbushur me vdekje. Përveç vdekjes së Gagarinit dhe vrasjes së Martin Luther King e Robert Kennedy vdesin më shumë se 11.000 vetë nga tërmeti në Iran, dhjetra të vrarë në Pragë, e shumë të tjerë në Vjetnam...
Në të njëjtin vit kuptohet "vdekja e autorit" për herë të parë nga Roland Barthes. Një vit plot vdekje.
Dhjetor
Rolling Stones vendosin një gur themeltar në albumin e tyre "Beggars Banquet". Për gjuhën e mprehtë të Mick-it unë do të preferoja të thoja: "Qendro megjithatë, je kaq i bukur!"
E para anije kozmike me ekipazh niset drejt Hënës. Në mëngjesin e Krishtlindjes majori Bill Anders lexon nga kozmosi strofën e parë të Genesis:
Në fillim Zoti krijoi qiellin dhe Tokën. Dhe Toka pa formë, e zbrazët dhe e errët ishte në sipërfaqen e thellësisë. Shpirti i Zotit lëvizi mbi sipërfaqen e ujit.
Në të njëjtën ditë babai im me një grup këngëtarësh të Krishtlindjeve udhëton mbi Tokën e shkretë e të pështjelluar të fshatit dhe këndon:
Ngrihu, ngrihu, Zot bari, sepse po vijnë miq të mirë, këngëtarët e Krishtlindjes.
Disa orë më pas grupin e kapin dhe ia paraqesin sekretarit të partisë, që deklaron, se Zoti me siguri që nuk do të lindë, e se Krishtlindjet s'kanë kuptim e madje janë të ndaluara zyrtarisht.
Unë jam gati një vjeç dhe mund të shkoj vet nga shtrati tek dera. 1968 mbaron, por mua më vjen keq për këtë. Unë dyshoj, se në 30 apo 40 vjet do të jepja gjithçka që të paktën të më kujtohej ndonjë gjë prej këtyre. Nëse do ta njihja fjalën "gëzimlig" do të isha i tillë, por meqënëse nuk e njoh, unë vetëm nxjerr gjuhën jashtë.
1968 si antimanifest
1968 nuk ka ndodhur kurrë. Ky është i vetmi vit i shpikur, i trilluar, i rrëfyer e i zbukuruar nga fillimi në fund. Të gjitha ngjarjet e asokohe të çojnë në këtë përfundim. E po ashtu edhe ne të lindurit më 1968.
Eshtë shumë bukur e mundur, që ai të jetë menduar si projekt madhor i Andy Warhol, i cili në atë kohë festonte 40 vjetorin.
Eshtë bukur e mundur, që 68-ta është vetëm një manovër, e organizuar prej trupave të Traktatit të Varshavës për nder të pesëdhjetvjetorit të themelimit të ushtrisë dhe flotës sovjetike, që festohet në të njëjtin vit.
Eshtë bukur e mundur, që 68-ta është trilluar tërësisht prej të rinjve të Europës Lindore pas dëgjimit të tepruar të Beatles të fshehur nëpër çati. Një dëshmi për këtë të jep të dëgjuarit me vëmendje të "Yellow Submarine". Në mes të këngës (pikërisht në minutën 1':35'') dëgjon zhurmën në sfond replikën "pusni mi verigata" ("më lironi nga zinxhirët"). Pikërisht kështu: "pusnimiverigata". A nuk është ky një mesazh konspirativ i Beatles-ve ndaj rinisë bullgare ... Por për fat të keq ne e zbërthyem këtë shumë vonë, në mesin e viteve 80-të, kur gjtihçka ishte humbur.
Eshtë bukur e mundur, që 68-ta është një superproduksion madhor nga Metro-Goldwyn-Mayer, Kinostudija imeni "M. Gor'kogo" si dhe kinematografia franceze, çeke dhe ajo shtetërore bullgare.
Filmi më i bukur i të gjitha kohërave.
Vitet 60-të si epigraf apo epitaf
Vitet 60-të ishin të pafrytshme, sepse asokohe u shpik edhe pilula kontraceptive.
Georgi Gospodinov (50) është një shkrimtar bullgar, romanet dhe esetë e të cilit janë përkthyer në shumë gjuhë. Ai jeton e punon në Sofje.