Duke filluar nga viti i ri shkollor, studentët dhe mësuesit shqiptarë nuk do të lejohen të mbajnë telefonat celularë gjatë orës së mësimit. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, nënshkroi një vendim të prerë këtë të premte, duke ndaluar rreptësishtë përdorimin e telefonave celularë gjatë procesit të mësimit, si nga nxënësit ashtu dhe mësuesit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të zbatohet që nga 17 shtatori. Sipas rregullave të reja, celularët do të ndalohen vetëm gjatë orëve mësimore por jo gjatë festave apo aktiviteteve të tjera.
Nëpërmjet nënshkrimit të këtij vendimi, Shqipëria u bë vendi i dytë pas Francës që ndaloi përdorimin e telefonave celularë në ambientet shkollore. Një hap i tillë u ndërmor fillimisht nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron, si një strategji kyçe për të ulur varësinë e brezit të ri nga internet dhe pajisjet inteligjente.
Pak pasi qeveria franceze paralajmëroi ndalimin e celularëve, në maj të këij viti, Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, ndaloi përdorimin e telefonave për një javë rrjesht.
Disa dollape të instaluara në ambientet e gjimnazit shërbyen si kasaforta ku u vendosën celularët e gjithë nxënësve deri në përfundimin e orarit mësimor. Në faqen gjimnazit në Facebook, thuhej se dollapet ishin instaluar me mbështetjen e plotë të prindërve.
Qëllimi është i qartë: Mbarëvajtja e procesit mësimor dhe vëmendja e shtuar e nxënësit në shpjegimin e mësimit, edhe pse mbetet për t’u parë se sa efektive do të jetë kjo nismë në edukimin e gati 1000 gjimnazistëve që ndjekin studimet pranë këtij gjimnazi.
Shkollat lejojnë që nxënësit të mbajnë telefonat celularë në çanta, në rast se prindërit kanë nevojë të komunikojnë me fëmijët e tyre. Zakonsht ata përdorin pushimin e madh për të lundruar në internet, por vetëm disa prej tyre futin telefonat në çantë dhe mundohen të ndjekin mësimin kur hyjnë në klasë.
Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve shqiptarë përdorin telefonin si makinë llogaritëse, ose për t’u bërë fotografi detyrave të shtëpisë. Të tjerë regjistrojnë orën e mësimit, ose mundohen të gjejnë online përgjigjet e deyrave të klasës. Tanimë ka ardhur koha që ata duhet të jenë të rrethuar mesues që t’i ndihmojnë të jetojnë me përgjegjësi. Telefoni dhe rrjetet sociale nuk janë gjithçka.