Raporti i BSH-së: Kredia për investime në rënie, po financohet më shumë turizmi e më pak ndërtim

Hënë, 06 August 2018 14:15

Banka e Shqipërisë në analizën e tendencave për kreditim në tremujorin e dytë 2018 thekson se ritmet e rritjes së kredisë për sektorin privat kanë mbetur në nivele të moderuara, duke reflektuar rritjen e paqëndrueshme të kredisë për biznese, ndërkohë që kredia për individë zgjerohet me ritme më të larta. Sipas monedhave, kreditimi në lekë ka shfaqur norma më të larta rritjeje se ai në valutë, por ky i fundit ka dhënë kontributin kryesor në zgjerimin tremujor të portofolit. Pesha më e lartë e portofolit të kredisë në valutë, si dhe mbiçmimi i ndjeshëm i lekut ndaj euros në tremujorin e dytë, kanë diktuar një dinamikë të ndryshme të kredisë nominale nga zhvillimet reale. Për pasojë, analiza në vazhdim është mbështetur në të dhënat e kredisë për sektorin privat, rregulluar për efektin e kursit të këmbimit. Kredia për biznese ka shfaqur norma rritjeje më të ulëta se në tremujorin e parë, duke reflektuar më së shumti efektin e bazës krahasuese me një vit më parë, kur ky portofol u rrit ndjeshëm. Bankat raportojnë së kërkesa nga bizneset ka qenë më e lartë, por ndërkohë ato kanë shtrënguar standardet e kreditimit për korporatat. Rritja e kredisë për biznese është mbështetur si nga rritja e kredisë për likuiditet ashtu dhe nga ajo për investime.

Në terma të monedhës, vihet re preferenca e bizneseve për kreditimin në valutë, ndërsa sipas sektorëve të ekonomisë, ecuri më të mirë ka shfaqur sektori i tregtisë, hoteleve dhe restoranteve. Normat e interesit për kreditë e reja në lekë për bizneset kanë shfaqur rënie në tremujorin e dytë të vitit, të ndikuara si nga ulja e interesave për kreditë për likuiditet, ashtu edhe nga ato për investime. ndërkohë, normat e interesit për kreditë në euro shfaqen lehtësisht më të larta se në tremujorin e parë, por mbeten në nivele më të ulëta në krahasim me vitin 2017. Kushtet joçmim të bankave të ofruara për bizneset mbeten të pandryshuara këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e parë. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, kredia për individë ka ruajtur normat e larta të rritjes të shfaqur edhe në tremujorin e parë. dinamika pozitive në këtë portofol është mbështetur si nga lehtësimi i standardeve të kreditimit për individë nga bankat, ashtu edhe nga një kërkesë në rritje e tyre për kredi në këtë tremujor. Ecuria pozitive e kredisë për individë është mbështetur më së shumti nga kredia për banesa dhe më pak nga ajo për konsum. Po kështu, kredia në lekë për individë ruan norma të larta rritjeje, duke dhënë dhe kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë në lekë. Normat e interesit për kreditë e reja në lekë për individë kanë mbetur në nivele të ngjashme me tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që interesat për kreditë në euro janë më të ulëta. Gjatë këtij tremujori, bankat kanë lehtësuar kërkesat për kolateral për individët dhe kanë lënë të pandryshuar kushtet e tjera joçmim. Aktiviteti kreditues në vendet e rajonit shfaqet relativisht i paqëndrueshëm, në terma të normave vjetore të rritjes. Pas një zgjerimi më të shpejtë në tremujorin e parë të vitit, kredia për sektorin privat shënoi sërish ngadalësim në muajt prill dhe maj. Kjo ecuri përcaktohet kryesisht nga kredia për biznese, ndërsa rritja e kredisë për individë mbetet e qëndrueshme. Zhvillimet në terma gjeografikë reflektojnë një treg ende të segmentuar të kredisë për sektorin privat.

Kredia më shumë në turizëm, më pak në ndërtim/Shpërndarja e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë tregon se bankat kanë rritur financimin për bizneset që veprojnë në sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve, dhe më pak në sektorin e ndërtimit, në tremujorin e dytë të vitit 2018. Ndërkohë, kredia për sektorin e industrisë ka mbetur në të njëjtin nivel si në fund të tremujorit të parë. Në pasqyrim të këtyre zhvillimeve, vihet re: përmirësim i ritmeve të rritjes së kredisë për tregti, hotele dhe restorante në 6.5%; qëndrueshmëri e normës së rritjes vjetore të kredisë për ndërtim në 5.4%; dhe një tkurrje e kredisë për industrinë me 1.8%. Kredia për sektorin e shërbimeve të tjera ka shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes në 6.7% në këtë tremujor, krahasuar me 11.2% në tremujorin e parë. Kredia për sektorin e bujqësisë ka shfaqur një normë rritjeje vjetore lehtësisht më të lartë në muajin qershor, prej 1.4%. Këto zhvillime kanë lënë të pandryshuar, krahasuar me tremujorin e parë, strukturën e kredisë për biznese sipas sektorëve të ekonomisë.

Më pak kredi për investime/Gjatë tremujorit të dytë, ngadalësimi i normave të rritjes së kredisë për biznese ka reflektuar normat më të ulëta të rritjes vjetore të kredisë për investime, e cila u rrit me mesatarisht 4.3%, përkundrejt rritjes prej 4.9% që shënonte në tremujorin e parë. Të njëjtën tendencë ka shfaqur edhe kredia për likuiditete, e cila shfaqi një rritje vjetore mesatare prej 2.6%, përkundrejt 3.9% të shënuar në tremujorin e parë. Ndërkohë, zhvillimet afatshkurtra tregojnë se rritja tremujore e kredisë për investime ishte më e ulët se ajo në tremujorin e parë, ndërsa kredia për likuiditet shfaqi një rritje më të lartë. Kredia për investime përbën 56% të kredisë për biznese, në fund të muajit qershor.

Login to post comments