Numri i  të shkolluarve po ulet dhe rinia po largohet nga Shqipëria

E Enjte, 09 August 2018 19:17

Nga Myqerem Tafaj

Të dhënat e fundit për numrin e nxënësve dhe studentëve flasin për një zhvillim alarmant, jo vetëm thjesht demografik, por edhe në nivelin mesatar të shkollimit të  popullsisë në vend. INSTAT thotë që Shqipëria ka rreth 134 mijë më pak nxënës dhe studentë në vitin shkollor/akademik 2017/2018 në krahasim me 4 vite më parë, pra në vitin shkollor/akademik 2013/2014! Interesante është se ulja ka prekur të gjithë nivelet e arsimit: arsimi bazë, arsimin i mesëm dhe sidomos ai i  lartë. Madje edhe në arsimin profesional ka ulje të madhe të numrit të nxënësve, edhe pse qeveria mburret çdo ditë se ka arritur suksese historike!
Shkaqet e këtij zhvillimi krejtësisht të padëshiruar, madje shumë i  dëmshëm për të ardhmen e vendit, janë të shumta. Por kryesori është efekti i  qartë i emigrimit masiv të shqiptarëve në 25 vitet e fundit, si dhe “rilindja” e emigracionit pas vitit 2013, aq sa Shqipëria, në vitet 2014-2016, renditej përpara disa vendeve që janë në luftë ose konflikte civile, vende në rajone të ashtuquajtura “rajone në krizë”. Qytetarët po ikin nga vendi. Tani po ikin më shumë të rinjtë e shkolluar, sidomos të diplomuarit në mjekësi, infermieri, fizioterapi, dhe profesione të tjera të shëndetësisë. Zonat të tëra, jo vetëm rurale, por edhe qytetet më të vogla të vendit, po mbeten pa mjekë të përgjithshëm, pa folur pastaj për mjekë të specializuar. Vetëm Gjermania ka nevojë të marrë çdo vit nga jashtë rreth 50-55 mijë të diplomuar në mjekësi, infermieri dhe degë të tjera të shëndetësisë. Vetë Kancelarja Merkel dhe ministrat e Shëndetësisë dhe të Punës &  Cështjeve Sociale, kanë deklaruar që Ballkani, dhe sidomos Shqipëria dhe Kosova, janë vendet nga ku do të merren forcat të kualifikuara me arsim universitar. E njëjta gjë po ndodh edhe në teknologjinë e informacionit. Gjermania po miraton këto ditë në Bundestag një ligj të vecantë  përmes të cilit rritet numri i vendeve të punës për profesionet e kujdesit infermieristik në qendrat spitalore dhe ato të kujdesit të moshës së tretë, si dhe rriten ndjeshëm pagat. Kjo ishte tema e dytë pas asaj të emigrantëve në fushatën e fundit të Merkelit.

Gjermania dhe vende të tjera të zhvilluara po marrin të diplomuar të gatshëm nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe vendin tonë. Një i diplomuar i kushton vendit tonë një investim total për shkollimin nga fillorja deri në Master që kapërcen 150 mijë Euro. Pra cdo i diplomuar që largohet nga vendi merr me vete edhe të paktën 150 mijë Euro të investuara nga familja dhe shoqëria për shkollimin e tij.  Por ky është vetëm efekti financiar, ndërkohë që janë një sërë efektesh të tjera ekonomike, sociale dhe demografike afatgjatë. Paradoksi është që Shqipërisë po i ndodh largimi masiv i të rinjve dhe plakja e popullsisë, ndërkohë që në Gjermani javën e fundit një kryelajm ishte se Gjermania po rinohet dhe numri i kontribuuesve në fondet e pensioneve por rritet, për shkak të të rinjve të shkolluar që ka thithur sektori i ekonomisë private nga vendet e tjera! 
Ka plot shkaqe të tjera. Mungesa e shpresës tek të rinjtë dhe pamundësia për t’u punësuar sipas meritës janë shkaqe të tjera të rëndësishme që detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendi. Anketimet e bëra tregojnë që rreth 70% e të rinjve 15-24 vjeç, dëshirojnë të largohen nga vendi, nivel ky që haset vetëm në vendet që i përkasin rajoneve në krizë dhe në luftë.
Por këto të dhëna tregojnë gjithashtu edhe një tendencë të qartë të uljes së nivelit mesatar të shkollimit. Nxënës 15 vjecarë që mbarojnë arsimin bazë nuk regjistrohen në arsimin e mesëm, sepse, ose emigrojnë jashtë ose familjet e tyre janë shumë të varfër dhe u duhet që t’i dërgojnë në punë krahu dhe jo në shkollën e mesme. Statistikat tregojnë që rreth 80 % e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë vijojnë arsimin e mesëm, ndërkohë për përpara 4 viteve kjo shifër ishte 90-92%. Çfarë ka ndodhur? A ka bërë qeveria ndonjë analyze: sa janë nxënësit 15 vjecarë që kanë emigruar dhe sa janë të tjerët që janë këtu, por që, për shkak të varfërisë, nuk vijojnë dot arsimin e mesëm.
Dhe paradoksi më i madh ka ndodhur në arsimin e lartë. Ulja me 44 mijë e numrit të studentëve ka të bëjë jo vetëm me emigracionin, por edhe me varfërinë që ka mbërthyer afërsisht 1 në  3 familje shqiptare. Këto familje e kanë të pamundur të financojnë shkollimin universitar të fëmijëve të tyre, për shkak të tarifave të larta dhe kostos së lartë të jetesës në Tiranë dhe në disa qytete të tjera ku janë universitetet. Më kritike është situata në studimet e Masterit. Tarifat janë ndër më të lartat në Europë (mbi 2 herë më të larta se sa në Gjermani dhe Austri; madje disa Lande të Gjermanisë kanë tarifë zero të studimeve universitare). Përveç tarifës së Masterit, që është rreth 2000 USD, një studenti që vjen nga rrethet në Tiranë i duhen të paktën edhe 4000-5000 USD për shpenzimet e jetesës gjatë dy viteve të studimeve të Masterit. Sa janë familjet shqiptare që mund të përballojnë 6000-7000 USD për studimet e Masterit?! Studentët e Masterit mbeten pa hyrë në provime, sepse nuk arrijnë të paguajnë tarifat! Bursat mbetën një propagandë bajate e kësaj Qeverie. Ku janë bursat për degët prioritare të ekonomisë, si bujqësia, industria minerare, IT, etj. Ku janë bursat për studentët e degëve të bujqësisë, të industrisë agroushqimore, të gjeologjisë, minierave, naftës,  shkencave computerike dhe IT, inxhinierisë mekanike dhe elektrike, matematikës, fizikës, kimisë?! Ka 3 vjet që është miratuar ligji dhe deri tani asnjë bursë nuk është dhënë për degë prioritare. Akordohen bursa gjoja për mësuesinë. Për programet e mësuesisë në shkencat e natyrës janë dhënë bursa që në vitin 1992. Nga ana tjetër, mbi 2-fishimi i pagave të mësuesve në qeverisjen e PD, bëri që të filloj, që nga viti akademik 2010/11, të rritet numri i maturantëve me rezultate të larta që përzgjidhnin degët e mësuesisë dhe mësuesia hyri në grupin e dytë të programeve më të kërkuara nga maturantët. Ka numër të mjaftueshëm studentësh të shkëlqyer që përfundojnë Masterin në mësuesi, por nuk gjejnë dot vende pune për shkak se rekrutimi i mësuesve nuk mbështetet në meritë.
Tarifat e larta të studimeve universitare kanë detyruar të rinjtë të largohen jashtë vendit për të studiuar. Vetëm këtë vit kanë aplikuar rreth 9000 maturantë ose 1 në çdo 4 maturant, për të studiuar jashtë vendit. Kështu po largohen edhe studentët më të mirë nga vendi.

Mijëra të rinj shqiptarë po shkollohen jashtë vendit. Ky është një investim i jashtëzakonshëm i familjeve shqiptare për shkollimin e të rinjve në nivelet më të mirë internacional. Ky investim do të ishte shumë i çmuar nëse do ti kthehej vendit, pra nëse të rinjtë pas shkollimit do të ktheheshin në Shqipëri. Por, për këtë nuk asnjë program kjo qeveri. Madje as edhe mekanizma që e nxisin kthimin e “trurit” në vend. Nuk ka konkurrim real për vendet e punës as në administratën publike dhe as në universitetet publike. Rreth 90 % e të anketuarve me diplomë “Master” apo gradën “Doktor” të fituar jashtë vendit, parapëlqejnë të konkurrojnë për asistent apo kërkues në universitete. Por dyert janë të mbyllura. Konkurset në administratë publike janë formale dhe emërimet janë partiake, nepotike dhe abuzive, ndërkohë që rekrutimet në universitetet publike janë shpesh nepotike, abuzive dhe në këmbim të votës për drejtuesit e departamenteve, fakulteteve dhe universiteteve. De facto, Ligji i ri i arsimit të lartë, së bashku me aktet nënligjore në zbatim të tij, i kanë kyçur dyert e universiteteve për të rinjtë e shkolluar jashtë. Kjo do të ketë pasoja të pallogaritshme afatgjatë në të ardhmen e universiteteve tona.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...