Shitjet e banesave u rriten me 9 për qind në tremujorin e dytë të vitit, duke u përshpjetuar në krahasim me një tremujor më parë ku shitjet u zgjeruan me 7.5 për qind, raportoi Banka e Shqipërisë.
Rritja e shitjeve është mbështetur edhe nga kredia për banesa nga bankat. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë zgjerimi i kredisë për blerje banese ishte 6.8%.
Tregu i banesave është përfshirë në zhvillime të vrullshme prej rritjes së investimeve në sektor dhe lejeve më të shumta në numër që po jepen nga bashjkitë në të gjithë vendin sidomos në Tiranë.
Numri i tyre në tremujorin e parë ishte 221, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e mëparshëm. Në lejet e miratuara gjatë tremujorit të parë 127 ishin leje për ndërtesa për qëllime banimi, ndërsa 94 leje për ndërtesa të tjera (si hotele, ndërtesa për zyra, ndërtesa industriale e të tjera).
Por Banka e Shqipërisë thotë se ndërtimet e reja janë frenuar në raport me një vit më parë. Sektori i Ndërtimit u rrit me 2.1% në terma vjetorë në tremujorin e parë të këtij viti, pas rritjes me 3.8% në tremujorin e mëparshëm.
Por kjo dinamikë positive është mbështetur nga investimet publike, ashtu edhe nga rritja e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.
Megjithatë, rritja më e ngadaltë e investimeve të realizuara për ndërtime të reja vlerësohet të ketë përcaktuar prirjen ngadalësuese të sektorit.
Midis treguesve të tjerë të tërthortë sasiorë, vlera e përafërt e lejeve të miratuara të ndërtimit shënoi rënie për kategorinë e ndërtimeve për qëllime banimi krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërkohë, ky tregues rezulton me rritje vjetore për kategoritë e ndërtimeve të tjera dhe punimeve inxhinierike.
Zhvillimet në sektorin e ndërtimit vlerësohet të mbeten pozitive gjatë tremujorit të dytë.
Në të njëjtën linjë janë edhe sinjalet e marra nga rritja graduale e numrit të lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja dhe kontributi pozitiv i vlerësuar nga sektori publik. Megjithatë, baza e lartë krahasuese e një viti më parë dhe rënia e treguesit të besimit dhe e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim, kufizojnë në një masë vlerësimet për ritmin e rritjes së sektorit në tremujorin e dytë.