Masakër me armë zjarri në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë. Tetë persona, anëtarë të dy familjeve të të njëjtit fis, janë qëlluar për vdekje duke regjistruar kështu ngjarjen më të rëndë kriminale në vendin tonë, ndërsa raportohet edhe për disa të plagosur.
Autori i kësaj ngjarje është një 24-vjeçar i identifikuar si Ridvan Zykaj. RENEA, FNSH, DELTA FORCE kanë blinduar fshatin.
Autori ka qëlluar me breshëri në drejtim të tetë personave, nga të cilët 6 kanë humbur jetën në vend, ndërsa dy të tjerë rrugës për në spital. Fshati Resulaj ndodhet rreth 60 minuta larg Bashkisë Selenicë.
"Shqiptarja.com" mëson se shkak për ngjarjen paraprakisht dyshohet të ketë qenë ushqimi për pulat. Pulat e xhaxhait të autorit kanë hyrë në bahçen e autorit. Ngjarja ka çuar në konflikt dy familjet çka ka sjellë edhe tragjedinë. I riu i ka hapur zjarr befasisht duke kryer një masakër të vërtetë. Të njëjtat burime saktësojnë se autori dyshohet me probleme mendore. Disa vite më parë ai është shpëtuar nga një zjarr i rënë në fshat dhe prej atëherë ka pasur probleme mendore.