Tërmeti i pasdites së djeshme la plot dëme materiale në disa qytete, sidomos në veri të vendit.
Mati, Klosi e Dibra, ishin qytetet që u prekën më së shumti nga lëkundjet e forta të tërmetit.
Si pasojë numërohen plot 200 shtëpi të dëmtuara në Dibër e për këtë arsye shumë qytetarëve u është dashur ta kalojnë natën jashtë.
Këto pamje të siguruara për BalkanWeb nga gazetari Enver Doçi tregojnë pasojat e tërmetit të djeshëm në një shtëpi në Dibër.
Në video duken qartë, të krisurat në mur, apo televizori e orenditë e tjera shtëpiake të rrëzuara përtokë.
Tërmeti i fuqishëm ka tronditur Shqipërinë dje rreth orës 5 e 35 minuta. Sipas raportimeve tërmeti ishte me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter. Është ndjerë dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Bosnjë.
Epiqendra ishte 38 km nga VL e Tiranës e 10 km në lindje të Burrelit. Lëkundja e tërmetit ishte regjistruar në thellësi 10 km.