Në tragjedinë e djeshme në Genova të Italisë, ku si pasojë e urës së shembur deri tani janë shënuar 38 viktima, mes tyre edhe shqiptarë, ka patur edhe njerëz që kanë ‘rilindur’.
Ka pasur edhe nga ata që kanë shpëtuar ‘për një fije peri’ nga vdekja e sigurt. Një ndër ta është edhe shqiptari Ervin Abeshi nga Tirana. Në një rrëfim për Ora News, i riu tregon se si për fat arriti të kalojë urën vetëm pak minuta para se të shembet dhe të marrë me vete dhjetëra makina që kalonin mbi të.
“Kisha marrë disa materiale nga magazina ku punoj, vetëm 10 metra larg urës Morandi në Genova të Italisë për t’i transportuar me furgon në destinacion e duhur. Do të kaloja autostradën. Ishte ora 11:40 minuta. Binte një shi i rrëmbyeshëm dhe pamje ishte shumë e mjegulluar. Sapo kalova 300-400 metra dëgjova një zhurmë të madhe. Ndalova makinën dhe hapa xhamin. Pashë që ura po rrëzohej dhe makinat fluturonin në ajër. Nuk e besova sepse dhe shiu ishte shumë i rrëmbyeshëm. Ura iku u shemb poshtë brenda pak sekondash ndërsa makinat ishin në fluturim”, u shpreh Ervini.
Deri tani është konfirmuar se mes viktimave janë edhe shqiptarët Marius Djerra dhe Edi Bokrinën. Ky i fundit nuk është gjetur ende.