Alice është një blogere e njohur angleze që prej disa kohësh jeton në Tiranë. Ajo erdhi për tri ditë në Shqipëri dhe vazhdon të qëndrojë prej muajsh këtu, e dashuruar me vendin tonë.
Këtë të diel ajo së bashku me persona të tjerë e kaloi në plazhin e Durrësit. Jo duke pushuar, por duke pastruar mbetjet e hedhura vend e pa vend nga pushuesit ditorë.
“Po bëjmë punë vullnetare. Ne jemi anglezë, amerikanë, gjermanë, austriakë dhe shqiptarë, dhe nuk jemi këtu vetëm për të pastruar, pasi brenda 2 javësh mund të kthehet sërish në gjendjen e mëparshme, por dhe për të ndërgjegjësuar njerëzit dhe ndryshuar mentalitetin e të hedhurit vend e pa vend mbeturinat. Ata na shohin e reflektojnë”, u shpreh Alice.
Shumë nga ata që po pushonin në plazhin e vogël të Currilave paraditen e sotme, teksa shihnin grupin që pastronte, kanë kujtuar aksionet e detyruara vullnetare të së dielës në vitet e monizmit. Të tjerë, ndonëse të paktë, iu bashkuan grupit për pastrimin e plazhit nga plastika dhe mbetjet e tjera urbane.
“Një grup turistësh që u ndjenë keq teksa na panë të punonim, u bashkuan me ne. Ne shpresojmë që edhe qeveria dhe pushteti vendor gjithashtu të reagojnë për të bërë më shumë në këtë drejtim. Njerëzit hedhin plastikën kudo, pa menduar ku përfundon. Ajo përfundon në det dhe rrezikon gjallesat detare. Peshqit e hanë dhe ne hamë peshqit. Është një situatë e keqe”, shprehet blogerja e njohur.
Nën moton “të bësh gjëra të vogla, me shumë dashuri”, ky grupim shoqëror synon ta shtrijë vullnetarizmin drejt qytetit të Beratit dhe liqenit të Shkodrës për periudhën në vazhdim, duke përcjellë përmes punës mesazhe të rëndësishme për të gjithë ne, në mbrojtje të mjedisit dhe jetës së përbashkët në komunitet. TCH