Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kundërshton modelin e ri të aboneve të transportit urban, të cilat sipas një udhëzimi të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë përmbajnë edhe numrin e kartës së identitetit të qytetarit.
Pas ankesave të kryera nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, komisioneri ka konstatuar se vendosja e nr.ID është në kundërshtim me parimin e mjaftueshmërisë së të dhënave personale, si dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, i është kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë marrja e masave në lidhje me përpunimin e të dhënave personale.
Ndërkaq, vetë qytetarët shprehen se nuk janë dakord me formatin e ri të abonesë, por janë të detyruar të pranojnë pasi në të kundërt nuk mund të pajisen e për pasojë të mos udhëtojnë dot me urban.
Ndryshimi i modelit të biletave aktuale u bë përmes një udhëzimi të datës 9 maj 2018. Ndërkohë që, sipas modelit të ri të përcaktuar, numri ID do të vendoset poshtë fotografisë, që gjithashtu është e detyrueshme.
Përveç këtij ndryshimi, udhëzimi përcaktonte edhe elementët e tjerë që duhet të përmbajnë abonetë, duke përfshirë çmimin si dhe llojin e biletës së pajtimit mujor, që mund te jetë e përgjithshme, studenti apo emërtimi për linjën në të cilën ajo vlen.