Vepra penale e mashtrimit financiar ka njohur rritje të vazhdueshme vitet e fundit, ndërkohë që trend të njëjtë kanë shënuar edhe numri i viktimave që kanë rënë pre e tyre. Gjatë vitit të shkuar 791 persona kanë rënë viktimë e mashtrimeve. TV Scan ka zbardhur të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sipas së cilës, në vitin 2017, janë evidentuar në total 1,127 vepra penale të mashtrimit, nga 1031, në vitin 2016.
Sipas Kodit Penal, në këtë vepër përfshihen skemat piramidale, manipulimi i tregut, mashtrimet me sigurimet apo falsifikimi i markave zyrtare. Pjesën më të madhe të veprave penale të këtij grupi e zë mashtrimi me sigurimet, i pasuar nga shkelja e së të drejtës së pronësisë industriale apo falsifikimi i markave.
Numri total i autorëve të vënë nën hetim për mashtrim gjatë vitit të shkuar ka qenë 1127, me rritje prej 3.7% krahasuar me 2016, kur për këtë vepër u hetuan 1086 të dyshuar. Rritje shënuar edhe numri i të dënuarve për këtë vepër. Në vitin 2017 rezulton se janë burgosur 99 persona për veprën penale të mashtrimit, nga 63 në vitin 2016./scantv