Qeveria e Britanisë së Madhe do të testojë një skemë të re për punonjësit sezonalë në bujqësi që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Europian. Përmes saj synohet që, duke nisur nga viti i ardhshëm, fermerët britanikë të mund të rekrutojnë mijëra punonjës emigrantë.
Mungesa e krahut të punës kishte shkaktuar shqetësime për Unionin Kombëtar të Fermerëve, i cili kishte kërkuar një rishikim të ligjeve për të mundësuar ardhjen e emigrantëve.
Përmes skemës së re, nga pranvera e ardhshme, 2500 punëtorë jo nga BE do të rekrutohen nga dy agjenci të autorizuara. Secili individ do të mund të punojë deri në 6 muaj në vit në fermat e frutave dhe perimeve.
Këtë vit, mungesat në krahun e punës arrijnë deri në 10%, për shkak të uljes drastike të numrit të punëtorëve nga Europa. Ndërkohë me skemën e re, fermerët mund të rifitojnë besim për të korrat e vitit 2019, duke qenë se këto mungesa do të mund të plotësohen nga emigrantë shqiptarë, kosovarë, etj.