Koalicioni qeverisës në Itali, pritet të prezantojë buxhetin e vitit 2019 brenda disa javësh, që do të caktojë planet ekonomike dhe financiare për vitet e ardhshme. Këto do të monitorohen me detaje, për shkak se planet e liderëve populistë pritet të rrisin deficitin dhe borxhin publik, duke shtuar tensionet me Bashkimin Europian.
Partia Liga dhe Lëvizja 5 Yjet kanë premtuar reduktime të taksave dhe rritje të shpenzimeve në mirëqenie që kur morën detyrën. Megjithatë, liderët e të dy partive, Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio, kanë marrë paralajmërime nga homologët europianë, që të respektojnë rregullat fiskale.
Komisioni Europian, kërkon që shpenzimet qeveritare të mos kalojnë 3% të Produktit të Brendshëm Bruto, gjë që Italia pritet të mos ta respektojë. Italia e ka marrë një paralajmërim nga agjencia Fitch Ratings, që uli perspektivën për borxhin në negative, prej shqetësimeve mbi planet e Qeverisë për shpenzimet.
Nëse koalicioni mban premtimet, përfshirë prezantimin e të ardhurave bazë për të varfrit, taksën e sheshtë prej 15 ose 20% dhe reformës së pensioneve që do të zëvendësojë ligjin “Fornero” të vitit 2011 që rriti moshën e daljes në pension, kosto pritet të arrijë në 100 miliardë euro.
Vetëm këto, pritet të thyejnë rregullat e buxhetit të Bashkimit Europian. Përveç këtyre, ata kanë dhënë premtime të tjera të kushtueshme si largimi i 500,000 emigrantëve të jashtëligjshëm dhe rritje gjigante të shpenzimeve në infrastrukturë, pas kolapsit të urës në Genova.
Buxheti është i rëndësishëm për Europën, për shkak se Italia është ekonomia e tretë më e madhe në zonën e valutës së përbashkët.
Shqetësimet e investitorëve për ndikimin ekonomik, apo nevojën e ndonjë ndihme financiare si ajo e Greqisë, mund të dëmtojë të gjithë stabilitetin ekonomik dhe politik të kontinentit. Vendi ka borxhin e dytë më të madh në Eurozonë në raport me PBB, në 133.4%, apo 2.3 trilionë euro, sipas Eurostat. Scan