Ekstradimi i Nezar Seitajt/ Të gjithë në shkelje, por askush “me dashje”

Premte, 07 September 2018 12:39

Një hetim 3-mujor i Prokurorisë së Durrësit mbi procedurat e ekstradimit të Nezar Seitajt ka zbuluar shkelje përgjatë gjithë zinxhirit të vendimarrjes nga gjashtë institucione të drejtësisë. Megjithatë, procedimi penal është pushuar pa asnjë ndëshkim, pasi Prokuroria arriti në përfundimin se “shkeljet nuk ishin bërë me dashje”.

Hetimi nisi në fund të janarit 2018 me kërkesë të kryeprokurores Arta Marku, pasi ekstradimi në Itali i Nezar Seitajt, i akuzuar për trafik droge si pjesë e grupit të Habilajve, shkaktoi një furturë politike dhe mediatike në Tiranë.

Vendimi i pushimit të hetimit, të cilin BIRN e disponon, mban datën 8 maj 2018 dhe është firmosur nga prokurorja Ornela Rrumbullaku dhe kryetarja në atë kohë e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela. Hetimi analizon gjithë hallkën e veprimeve të kryera, që nga arrestimi i Nezar Seitajt më 20 tetor deri në ekstradimin e tij më 25 janar.

Ai përpiqet gjithashtu t’i japë përgjigje pyetjes nëse Gjykata e Tiranës duhej të vendoste pro ekstradimit të tij, në kushtet kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nisur një hetim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Neni 491/1 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se: “Nuk mund të jepet ekstradimi…kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri” ose “kur ka filluar procedimi, ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra penale është kryer jashtë shtetit”. Kodi i Procedurës Penale parashikon edhe “pezullimin e ekzekutimit të ekstradimit”, në kushtet kur personi që kërkohet duhet të gjykohet në territorin shqiptar.

Por pavarësisht detyrimit ligjor, prokuroria e Tiranës, e mbështetur nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykata e Tiranës, vendosën ekstradimin në Itali të Nezar Seitajt pa verifikuar më parë procedimet e nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në vitet 2016 dhe 2017.  Vendimi u certifikua edhe nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila sipas hetimit “nuk ka pasur informacionin e duhur për të proceduar ekstradimin e shtyrë”.

Pasi evidenton shkeljet proceduriale dhe në tërësi dështimin e sistemit për referimin e faktit që Seitaj ishte nën hetim në Shqipëri, Prokuroria e Durrësit argumenton se nuk mund të ngrinte akuzë për shpërdorim detyre sa kohë që në rastin e mësipërm ka munguar elementi subjektiv i dashjes së drejtpërdrejtë. Prokuroria argumenton gjithashtu se ekstradimi i Nezar Seitajt nuk cënon procedimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të.

“Në këto kushte çmohet se ekstradimi i shtetasit Nezar Seitaj nuk ka sjellë pasoja të parikuperueshme në hetimin e procedimit penal nr.134/2016, siç do të ishte p.sh lirimi i personit,” thuhet në vendimin e pushimit të hetimeve.

Dështimi i sistemit

Nezar Seitaj u arrestua pasditen e 19 tetorit 2017 gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në Vlorë, ku u zhvilluan kontrolle masive në shtëpitë e të akuzuave si anëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj dhe u sekuestruan 4.5 ton kanabis, një skaf me akt përdorimi nga Moisi Habilaj si dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Operacioni në Vlorë u zhvillua pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Katanias ndaj vëllezërve Habilaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, mes të cilëve ishte edhe Nezar Seitaj, si dhe publikimit në Tiranë të përgjimeve ku anëtarët e bandës implikonin edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Më 20 tetor 2017, Nezar Seitaj u përball me Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila vendosi masën e “arrestit me burg” për të. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda argumentoi në seancë se Seitaj duhej lënë në qeli pasi ishte nën hetim për llogari të procedimit 164/2017 (i bashkuar më pas me atë 134/2016) në Shqipëri dhe se njëherazi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane të drejtësisë.

Një ditë më vonë, më 21 tetor 2017, edhe Prokuroria e Tiranës iu drejtua gjykatës për masë arresti me qëllim ekstradimin e shtetasit Nezar Seitaj. Në këtë procedurë të dytë, përfaqësuesja e Prokurorisë dorëzoi materialet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës të arrestit të përkohshëm për qëllime ekstradimi si dhe shkresën e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, gjithashtu për efekt ekstradimi.

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit është fokusuar në praktikën gjyqësore për qëllime ekstradimi si dhe në faktin se pse në këtë proces është anashkaluar fakti se ndaj Seitajt kishte një procedim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Për këtë qëllim, është pyetur oficeri i policisë gjyqësore Elton Shima, i cili në orën 22:00 të mbrëmjes së 20 tetorit 2017 ka mbajtur procesverbalin e arrestimit për qëllime ekstradimi të Seitajt. Shima i ka shpjeguar hetuesve se ishte njohur me urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga oficeri i rojes dhe se më pas kishte komunikuar me email me zyrën e Interpol Tiranës, e cila i konfirmoi urdhër-arrestin ndërkombëtar të Gjykatës së Katanias.

Pyetjes se pse nuk e kishte pasqyruar në procesverbal faktin se Nezar Seitaj ishte ndaluar më parë për llogari të Krimeve të Rënda, Shima i është përgjigjur se “ka bërë një procedurë standarde dhe nuk e ka parë të arsyeshme pasqyrimin e këtij fakti”.

“…çmohet se nga ana e oficerit të policisë gjyqësore, Elton Shima nuk është bërë pasqyrimi i duhur…se Nezar Seitaj ndodhej në Drejtorinë e Policisë Tiranë për shkak të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pasqyrimi i këtij fakti që në këtë fazë do të vinte në dijeni si prokurorin e shkallës së parë ashtu edhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë,” thuhet në dokumentin e hetimit.

Hallka e dytë e verifikuar nga hetimi është praktika e ndjekur nga prokurorja e Tiranës, Armida Hamiti. Kjo e fundit ka bërë kërkesa për zgjatjen e afatit të masës së sigurimit, por nuk ka kryer verifikim për të hetuar në lidhje me faktin se ndaj Seitajt ka pasur ndonjë procedim tjetër penal.

“Qoftë edhe nxjerrja nga sistemi TIMS i të dhënave për Nezar Seitajn do të pasqyronte faktin se për të ishte nxjerrë një urdhër ndalimi. Në këto kushte konstatohet një mungesë veprimi nga ana e prokurorit  të çështjes për verifikimin si më sipër,” thuhet gjithashtu në vendimin e pushimit.

Në të njëjtën linjë ka vijuar edhe gjyqtari i Tiranës, Kastriot Gramshi, i cili miratoi ekstradimin në një seancë të vetme më 18 dhjetor 2017. I pyetur për këtë mungesë verifikimi, gjyqtari Gramshi ka thënë se “asnjëra nga palët, si akuza dhe mbrojtja nuk kanë ngritur ndonjë pretendim në lidhje me ndonjë pengesë ligjore për mosekstradimin e shtetasit Nezar Seitaj.

Mungesa e verifikimeve për statusin penal të Seitajt është cilësuar shkelje nga Prokuroria e Durrësit.

“Nga ana e gjykatës dhe e prokurorisë nuk është bërë asnjë lloj verifikimi për këtë fakt dhe ndonëse nuk është bërë asnjë verifikim është pasqyruar në vendim sikur këto verifikime janë kryer të plota,” thuhet në vendimin e pushimit të hetimit.

Vendimi pro ekstradimit i 18 dhjetorit 2017 i Gjykatës së Tiranës i hapi rrugën ekstradimit në kohë rekord të Nezar Seitajt. Në këtë zinxhir veprimesh, Prokuroria e Durrësit ngarkon me përgjegjësi edhe ish-drejtoreshën e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashin.

Hetimi thekson se ndryshe nga rasti i Seitajt, për dy të akuzuarit e tjerë të së njëjtës çështje, Amarildo Sulaj dhe Sabaudin Çelaj, informacioni për procedurat e ekstradimit i ishte dërguar për dijeni edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. I pyetur se pse kishte dërguar informacion për rastin e Sulajt, specialisti Jonad Bara është përgjigjur se ia kishte kërkuar Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

“…nuk kuptohet pse e njëjta shkresë nuk i është bërë edhe për Nezar Seitajn. Ky fakt çmohet si shkelje e kryer nga drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, Rovena Gashi,” thuhet në hetim.

I vetmi institucion që zotëronte si urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ashtu edhe atë të autoriteteve italiane të drejtësisë ishte burgu “Jordan Misja” në Tiranë, ku mbahej Nezar Seitaj. Por përgjegjësi i sektorit ligjor në këtë burg ka thënë se nuk është detyrimi i tyre ligjor të njoftojnë institucionet e tjera dhe se ky infomacion jepet vetëm nëse kërkohet.

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit ka gjetur parregullsi edhe në hallkën e fundit, miratimin e ekstradimit nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Është e vërtetë se në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës për miratimin e ekstradimit është arsyetuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore…, por Ministri i Drejtësisë nuk duhej të mjaftohej vetëm me këtë vendim gjykate,” shkruhet në dokumentin e hetimit.

Duke iu referuar faktit se ministrja e Drejtësisë ka detyrimin ligjor të kryejë të gjitha verifikimet e duhura para firmosjes së ekstradimit, prokurorja merr si shembull të faktit se vendimi i gjykatës nuk është i mjaftueshëm në rastin hipotetik se personi mund të kryejë një vepër penale edhe pasi është miratuar ekstradimi.

A duhej kryer ekstradimi?

Ekstradimi i Nezar Seitajt drejt Italisë u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, edhe për shkak të rëndesës politike që shfaqte hetimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.  Kreu i opozitës, Lulzim Basha e etiketoi Seitajn si “financier i Habilajve”, ndërsa denoncoi ekstradimin e tij si “rrëmbim për t’i mbyllur gojën”.

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit arrin në një përfundim të ndryshëm dhe e cilëson vendimin e Gjykatës së Tiranës për ekstradimin e Seitajt si të drejtë dhe të bazuar në ligj. Ky përfundim vjen pasi së bashku me nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, prokuroret e çështjes interpretojnë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tyre pengon ekstradimin  vetëm në rastet kur vepra penale bazohet në të njëjtat fakte penale, në rastin konkret, si nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ashtu edhe nga ajo e Katanias në Itali.

“…vendimarrja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për miratimin e ekstradimit është e drejtë dhe e bazuar në ligj. Ajo çfarë ka sjellë problematikën e rastit objekt hetimi është arsyetimi i vendimit gjyqësor, ku thuhet se nuk ekziston asnjë nga pengesat ligjore të parashikuara nga neni 491 i Kodit të Procedurës Penale, pa bërë një verifikim paraprak” thuhet në vendim.

Pavarësisht shkeljeve të gjetura gjatë praktikës së ekstradimit të Nezar Seitajt, Prokuroria e Durrësit ka arritur në përfundimin se ato nuk janë bërë me dashje, duke mos ngritur më pas akuzë për “shpërdorimin e detyrës”.

Për të konkluduar nëse shkeljet e konstatuara kanë qenë të shoqëruara me elementin subjektiv të dashjes së drejtpërdrejtë, Prokuroria ka administruar 5 dosje ekstradimi të trajtuara nga Prokurorja e Tiranës, Armida Hamiti si dhe dy dosje të tjera të trajtuara nga gjyqtari Kastriot Gramshi.

“Nga këto 5 dosje të ekstradimit vihet re se është zbatuar e njëjta procedurë nga ana e prokurores…pa bërë asnjë verifikim tjetër shtesë. Ky fakt tregon se mungesa e verifikimeve shtesë nuk është bërë me dashje të drejtpërdrejtë, por si rezultat i një praktike të mëparshme pune,” thotë prokuroria. Në të njëjtin përfundim është arritur edhe për gjyqtarin Gramshi.

Ndryshe nga zyrtarët e mësipërm, Prokuroria e Durrësit konstaton se Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme ka pasur një standard të ndryshëm në kazusin e marrë si shembull të ekstradimit të një shtetasi. Megjithatë, edhe në këtë rast, sipas hetimit mungon elementi subjektiv i dashjes së drejtpërdrejtë për të ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Prokuroria e Durrësit argumenton gjithashtu se ekstradimi në Itali i Nezar Seitajt nuk nënkupton lirimin apo shmangien nga hetimi të këtij shtetasi nga shteti shqiptar.

“Procedimi penal nr.134/2016 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku shtetasi Nezar Seitaj është nën hetim vazhdon. Pyetja e këtij shtetasi si person nën hetim dhe vazhdimi i procedurave të tjera hetimore realizohet edhe përmes rrugëve të tjera proceduriale..,” argumenton më tej vendimi.

“Në kushtet kur mungon  elementi i anës subjektive që është dashja e drejtpërdrejtë  në kryerjen e veprës penale dhe kur mungon pasoja juridike, faktet e hetuara në këtë procedim nuk  parashikohen në ligj si vepër penale, por mund të përbëjnë shkak për procedim disiplinor,”përfundon vendimi i pushimit të hetimit.

Login to post comments