Grabitja e Katedrales në Korçë përplas policinë me gjykatën

Diel, 09 September 2018 14:18

Dy nga personat e arrestuar dy ditë më parë për vjedhjen e katedrales në Korçë kanë fituar lirinë, pasi policia nuk kishte prova të mjaftueshme për ti mbajtuar ata pas hekurave.

Genci Arifi dhe Joan Cigare u liruan sot nga Gjykata e Korçës, duke u caktuar masën e sigurisë detyrim me paraqitje. E njëjta kërkesë u bë edhe nga Prokuroria.

Ndërkohë, sot kanë përfunduar në prangat e policisë tre të rinj, përkatësisht përfunduan Ronaldo Berberaj, 18-vjeç, Lorenc Berberaj, 18 vjeç, si dhe R.SH, 15 vjeç, banues në Korçë, të akuzuar për vjedhjen e ndodhur në katedrale më 3 shtator.

Për ngjarjen, janë shpallur në kërkim dhe po punohen për kapjen e shtetasve D.H., 15 vjeç dhe M.T., 14 vjeç, banues po në Korçë.

Në grabitje dyshohet se kanë marrë pjesë disa persona, të cilët janë fshehur brenda kishës dhe kanë qëndruar aty pas meshës së të dielës.

Gjatë orëve të natës kanë thyer dhe grabitur arkat ku besimtarët dhurojnë para dhe që Mitropolia e Korçës i përdor në ndihmë të njerëzve të nevojë.

Vetëm në arkën e ndihmave për të vobektit, mendohet se janë përvetësuar rreth 20 mijë lekë. Për Mitropolinë e Korçës, më shumë se vlera e grabitur shqetësim mbetet fenomeni, ndaj kërkon më shumë vëmendje nga Policia.

Login to post comments