Gjykata e rrethit Gjyqësor në Korçë ka dhënë sot masën e sigurisë për Ronaldo dhe Lorenc Berberaj dhe 15-vjecarin me inicialet R.Sh.
Tre autorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur katedralen e Korçës më 2 shtator, ndërsa akuzohen për ‘vjedhje të kryer në bashkëpunim’.
Kujtojmë se autorët dëmtuan edhe ambientet e brendshme të saj.
Në një prononcim për mediat një ditë pas ngjarjes, At Ilia Kotnami u shpreh se kjo nuk është hera e parë që ndodh. Kishat dhe objektet e kultit kanë qenë pre e grabitësve edhe më parë.
At Kotnami tregoi se hajdutët kanë qëndruar në kishë gjatë meshës, dhe në përfundim të saj kanë vjedhur paratë që ndodheshin në arkë. Sipas tij, autorët kishin marrë nga arka rreth 200 mijë lekë (të vjetër).
Dy të rinj të tjerë nga qyteti i Korçës, janë në kërkim nga policia për vjedhje të objektit të kultit ortodoks.
Dy ditë pas ngjarjes, u arrestuan dy persona të tjerë si autorë të dyshuar të vjedhjes së katedrales, por ata u lanë të lirë për mungesë provash me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës të dielën kur u shqyrtua masa e sigurisë ndaj tyre.