Ndërtimi nga fillimi i një sistemi me vlerë prej 15 milionë euro për raportimin në kohë reale të transaksioneve nuk i jep zgjidhje evazionit dhe informalitetit. I këtij mendimi është kontabilisti Agim Binaj, i cili në një intervistë për TV SCAN i jep përgjigje letrës sqaruese të dërguar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Binaj thekson se mund të bëhej një përmirësim i sistemit aktual me një kosto prej rreth 3 milionë eurosh.
Ndërkaq, sipas ekspertit Binaj, në mënyrë që të mos ketë evazion duhet bërë diferencimi i TVSH-së.
Tenderi ka për qëllim ndërtimin e një sistemi monitorimi transaksionesh i cili do të mundësojë raportimi në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit ashtu edhe të biznesit me biznesin. Aktualisht i vetmi aspekt i automatizuar është ai që mbledh të dhënat e raportuara nga pajisjet fiskale, në fund të ditës.