1913 objekte shtetërore janë nxjerrë në ankand nga Ministria e Financave. Objektet janë publikuar në faqen e saj zyrtare, të shoqëruara me vendodhjen e pasurisë, dhe institucionin shtetëror që e ka në pronësi. Pjesa dërrmuese e pronave janë nxjerrë në shitje, ndërkohë që disa prej tyre lihen me qira.
Bëhet fjalë për ambientet e ish uzinave, fabrikave e ndërmarrjeve shtetërore të epokës së komunizmit, magazina, depo, ndërtesa, si dhe një numër i konsiderueshëm ish repartesh ushtarake. Pjesa dërrmuese e pronave janë lënë prej vitesh pas dore e aktualisht janë në gjendje e mjerueshme.
Të ardhurat nga shitja e pronave janë llogaritur të shkojnë për llogari Agjencisë së Trajtimit të Pronave, si fond kompensimi për pronarët. Lajmi i keq është se për një pjesë të tyre ka pasur edhe përpjekje të mëparshme për t’u privatizuar, por pa sukses.