Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nga rihapur çështjen për Ahmet Ajetin, i cili në vitin 2005 tentoi të vrasë Lulzim Berishën.
I dënuar në mungesë me 20 vjet burg për tentativë vrasje, ai u ekstradua nga Lipjani i Kosovës, në Shqipëri, dy muaj më parë. Pas ekstradimit, Ajeti kërkoi rihapjen e çështjes, dhe rishqyrtimin e dosjes në prani të tij.
“Më 30 gusht të 2005 Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej Berisha, Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën është vetplagosur. Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë”, thuhet në njoftimin e policisë për ekstradimin e tij.