Policia e kryeqytetit ka vijuar edhe gjatë mbrëmjes së djeshme kontrollet për ruajtjen e parametrave te sigurisë rrugore në mënyrë që të shmangen ngjarjet tragjike në rrugë.
Me drager e radar, efektivët e rendit kanë kryer kontrolle përgjatë gjithë natës duke u gdhirë e shtuna, për të konstatuar drejtues mjetesh me probleme.
Pas kontrolleve të ushtruara në rrugët urbane dhe interurbane në përfundim nuk kanë munguar edhe masat ndëshkuese që kanë variuar nga heqja e lejeve të qarkullimit e deri në arrestimin e drejtuesve të mjeteve që janë kapur pa patentë.
Kështu policia mësohet se ka pezulluar 15 leje drejtimi për lëvizjen me shpejtësi të rrezikshme dhe 13 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu, policia ka arrestuar 4 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor duke kontribuar në rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.