Bizneset e lidhura në tensionin 35 kilovolt janë të detyruara të paguajnë për të dytin muaj radhazi një çmim më të lartë për energjinë që edhe për gushtin do të jetë 12.86 lekë/kvh. Me një vendim të veçantë Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë nivel pas propozimit të ardhur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që është edhe Furnizuesi i Mundësisë së Fundit në treg.
Kjo do të thotë që fatura që tashmë bizneset do të marrin gjatë shtatorit për energjinë e harxhuar në gusht do të llogaritet me 12.86 lekë çmim ky 35 për qind më i lartë sesa çmimi me të cilin furnizoheshin më herët pa hyrë në fuqi liberalizimi kjo kategori biznesi.
Por cilat janë kostot që llogarit brenda tarifa e OSHEE duke nisur nga çmimi i blerjes e deri tek tarifa e shpërndarjes dhe marzhi i mbulimit të kostove të shërbimit të ofruar.
Së pari është çmimi me të cilën është siguruar energjia nga prodhuesit me përparësi e cila rezulton në nivelin 8.56 lekë/kwh. Ky çmim përputhet me atë që ka caktuar Bordi i ERE në janar të këtij viti. Më pas kësaj i shtohen kostot e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për shërbimin por kjo mbetet ende e paqartë pasi ERE vlerëson se nuk ka ndarje të llogarive mes Furnizuesit dhe OSHEE. Në këto kushte është pranuar një kosto prej1.79 lekë/kvh që i shtohet çmimit fillestar të blerjes së energjisë.
Më pas në tarifë llogaritet edhe transmetimi me 0.75 lekë si dhe element të tjerë të formulës që përfshijnë edhe tarifën e shpërndarjes në rrjetin e OSHEE.
“Tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV, miratuar me Vendimin Nr. 190 Datë 30.08.2017 “Mbi shtyrjen deri ne 31.12.2018 te afatit te Vendimit Nr. 52 date 06.04.2017 “Mbi lënien ne fuqi te Vendimit Nr. 190 date 22.12.2016 te Bordit te ERE-s” është 1.5 leke/kwh.
Vëmë në dukje se OSHEE sh.a. edhe në aplikimin për çmimin e FMF për muajin gusht, sikurse edhe në periudhën janar-korrik 2018, nuk ka përcaktuar kostot e disbalancave për klientët e FMF dhe nuk ka deklaruar që i ka faturuar këta klientët për kostot e disbalancave. Kjo praktikë mund të rezultojë në favorizim të klientëve të FMF nëpërmjet transferimit te kostove te tyre tek kostot e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët e tjerë fundorë që furnizohen nga FSHU” u shpreh përfaqësuesja e Drejtorisë së Tarifave në ERE gjatë diskutimit të vendimeve të enjten e kësaj jave.
Më herët nga ana e ERE u miratua një tarifë 11.6 lekë/kwh për janarin dhe në periudhën shkurt-maj edhe pse OSHEE kërkoi tarifa më të ulët ERE miratoi një dysheme 9.5 lekë nën argumentin se nuk kishte një analizë të kostove nga ana e kompanisë publike.
Procesi i liberalizimit është aktualisht në një fazë tranzitore ku vetëm bizneset të lidhur në 35 kilovot kanë detyrimin të furnizohen nga tregu i lirë por në pamundësi për të gjetur furnizues këtë proces do ta kryejë OSHEE për të paktën dy vjet. E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për bizneset e lidhur në tension 20 KV të cilët pritet që të dalin në tregun e lirë të energjisë në janar të 2019-ës.