U kap me 3.4 milionë euro në Toyota, Klevi Lika: Më lironi të vazhdoj shkollën

Premte, 14 September 2018 16:17

Njëri nga të arrestuarve për 3.4 milionë eurot në Toyota Yaris ka kërkuar lirimin e tij nga burgu.

Personi që ka bërë këtë kërkesë është i riu Klevi Lika, i cili i ka kërkuar gjykatës lirimin e tij, pasi do që të ndjekë vitin e ri shkollor.

Likës i duhet të ndjekë vitin e dytë në gjimnaz. Kujtojmë se bashkë me të, nën masën e arrestit është dhe babai i tij, si dhe biznesmeni Mollaymeri.

“Më lejoni që të vazhdoj shkollën”, mësohet që të ketë qenë kërkesa e Lilës për gjykatën, e artikuluar nga avokati i tij Sajmir Visha.

Ndërsa aktualisht për këtë çështje janë ende në kërkim dy kushërinjtë Vladi, të cilët janë edhe porositësit e makinave nga Gjermania.

Deklarimet e bëra nga të arrestuarit e tjerë në Gjykatë:

Administratori i kompanisë që i solli makinat, Edi Lika ka deklaruar se makinat i kishte porositur Alfred Vladi, që ka një biznes në Laprakë. Ai ka treguar edhe se ku janë ngarkuar.

“7 makinat ‘Toyota’ janë ngarkuar në Bruksel, Alfa Romeo në Liezh dhe Opeli në Ashen në Gjermani. Makinat i kishte porositur Alfred Vladi, që ka një biznes në Laprakë”, ka thënë Edi Lika.

Në dëshminë e zbardhur, Agim Ceka shprehet se prej një muaji punonte si shofer te kompania e administruar nga Edi Lika, ndërsa ka bërë tre rrugë në Belgjikë.

“Në datë 12.06.2018 më mori në telefon Edi Lika dhe më tha të merrja kamionin, pasi do të shkojmë për të marrë disa makina në Belgjikë. Në datë 13 qershor jemi nisur nga Tirana dhe kemi kaluar nga Hani i Hotit, duke kaluar nga Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania dhe me destinacion Belgjikën në Sherlo kemi mbërritur në 16 qershor, ku kishim qenë edhe më parë. Elvis Vladi ngarkoi makinat Toyota. Në kthim na mori në telefon Edi Lika, që tha se nuk duhet të kalonin nga Ancona, por nga Bari. Personi që priste makinat në Durrës e ka emrin Fredi (Alfred Vladi), djali i xhaxhait të Elvisit”, është shprehur Agim Ceka.

Ndërsa Alban Mollaymeri ka deklaruar se makinat i gjenin në internet dhe Alfredi i porosiste jashtë Shqipërisë. Mollaymeri është shprehur gjithashtu se ka një aktivitet privat, servis makinash.

Mollaymeri thotë se ka telefonuar Alfred Vladin kur u bllokuan makinat në port. Për të katër të arrestuarit prokuroria kërkon arrest me burg për akuzat e pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal.

Pas 3 ditësh kërkime brenda vendit, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi. Ata kishin kontraktuar një firmë private për të transportuar 9 automjete nga Belgjika, në dy nga të cilat ishin fshehur 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit.

Login to post comments