Plagosi me armë bodyguardin në Sarandë, një i arrestuar

Saturday, 15 September 2018 12:02

Policia në qytetin bregdetar të Sarandës ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të ndodhur në orët e para të mëngjesit të një dite më parë.

Për pasojë në pranga është vënë një nga autorët e dyshuar, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër!

Bëhet me dije se rreth orës 02:32, në lagjen nr.1 Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokal-disko, shtetasi A.L., 37 vjeç me banim në Vlorë (vend në të cilin punonte si "Bodyguard"), është qëlluar me armë zjarri nga një shtetas tjetër (dyshohet shtetasi D.M) i cili duke përfituar nga errësira është larguar menjëherë me një automjet nga vendi i ngjarjes.

“Falë veprimeve hetimore intensive të policisë së Sarandës, u bë i mundur identifikimi i autorëve, kapja e njërit prej tyre si dhe shpallja në kërkim e një tjetri:

Joan Buli, 36 vjeç, lindur në Tiranë, me banim të përkohshëm në Sarandë, punonjës në objektin në fjalë (bodyguard) - Arrestuar për "Moskallëzim krimi".

D.M., 31 vjeç, banues në Sarandë - Shpallur në kërkim si autori kryesor i plagosjes.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

Si pasojë e ngjarjes, i dëmtuari A.L ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprat penale "Moskallëzimi i krimit", "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", parashikuar nga nenet 300, 88 dhe 278 të Kodit Penal.


 

Login to post comments