Raporti i fundit i OBSH-së për sa i takon depresionit dhe vetëvrasjeve bën me dije se një person në çdo 40 sekonda vret veten në botë, duke e çuar në 800 mijë numrin e njerëzve që vdesin çdo vit, ose e thënë ndryshe 3000 çdo ditë prej këtij shkaku.
Në Shqipëri, të dhënat zyrtare të policisë së shtetit për vitin 2017 treguan se 197 u vetëvranë.
Në diskutimin përse janë këto statistika në rritje të këtij fenomeni global, psikologët e lidhin ngushtë aktin me depresionin.
“Nëse i referohemi vetëvrasjes, në fakt sot kjo quhet si një epidemi e heshtur. Viktimat që po shkakton janë gjithmonë e në rritje. Statistikat tregojnë se 90% e personave të cilët kryejnë vetëvrasje janë persona të diagnostikuar me depresion kështu që depresioni mendohet të jetë shkaku primar që çon drejt vetëvrasjes”, thotë Eneida Frashëri.
Psikologia dhe pedagogia e Psikologjisë, Eneida Frashëri, thotë se personat që kanë problem të shëndetit mendor e kanë të vështirë dhe vetëstigmatizohen, ndaj dhe nuk trajtohen nga ana klinike.
“Personat kanë nevojë për ti kuptuar jo për ti gjykuar dhe vlerësuar. Referuar eksperiencës, personat që vinë referojnë faktin që nuk kuptohen dhe nuk guxojnë të flasin për këtë temë dhe detyrohen të bëjnë një dyzim të vetes. Vetja që duhet të jenë përballë të tjerëve, të jenë bashkëshorti apo bashkëshortja e suksesshme, e kujdesshme në familje, në punë. Ndërkohë që ata brenda vetes janë të dëshpëruar, janë të trishtuar”, shton Eneida Frashëri.
Nuk ka receta lumturie apo përjetime ndryshe të dhimbjes por psikologët rekomandojnë të merreni sa më shumë me veten dhe pasionet tuaja.
“Koha e të qenit me veten. Të jesh në depresion do të thotë të jesh i trishtuar edhe kur nuk ke asnjë arsye për të qenë i tillë. Kështu e para duhet të jetë koha e shpenzuar me veten, nga kjo duhet ta fillojmë”, shprehet më tej Eneida Frashëri.
Pavarësisht se është e vështirë të përcaktohet shifra e saktë, vetëvrasja mbetet një humbje tragjike e jetës.
Ndaj ekspertët, psikologët dhe mjekët psikiatër sugjerojnë familjarët të tregohen të kujdesshëm ndaj simptomave që mund të shfaqin anëtarët e tyre, duke bërë vlerësimin e gjendjes të shëndetit mendor.