Policia greke dyshon se vrasja e 33-vjeçares dy net më parë në Athinë, mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Shtypi grek e quan “kontrata e vdekjes”, larje hesapesh mes bandave kriminale.
Avokatja 33-vjeçare greke e ekzekutuar në garazhin e shtëpisë së saj, ka qenë emër i njohur për policinë dhe e përfshirë në disa vepra penale.
Sot shtypi helen shkruan se viktima kishte lidhje të ngushta me një vrasës shqiptar në Athinë. Ky i fundit, në vitin 2009 ishte paguar 40 mijë Euro për vrasjen e një gruaje.
Për këtë ngjarje të ndodhur 9 vite më parë, doli pikërisht emri i 33-vjeçares të vrarë së fundmi, e dyshuar si porositëse, por më pas u lirua.
Kurse shqiptari në të kaluarën ka qenë i arrestuar edhe për krime të tjera. Ai konsiderohej si i dyshuar për sulmin me acid ndaj një deputeteje greke, Konstantina Kuneva.
Avokatja 33-vjeçarje e vrarë dy betë më parë ka qenë më parë e akuzuar për vjedhje, drogë dhe përfshirje në organizatë kriminale. Madje kishte qenë disa herë edhe shënjestër e atentateve. Në vitin 2011, kur ishte 7-muajshe shtatzënë kishte rënë pre e një atentati, por kishte mundur të shpëtonte.
Në garazhin ku u gjet trupi i pajetë i saj, policia mblodhi 16 gëzhoja kallashnikovi. Besohet se është përdorur edhe një armë e dytë në krim, një pistoletë.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së zonës për të përcaktuar lëvizjet e vrasësve. Ata dyshojnë se autorët i kishin ngritur pritë dhe e ekzekutuan sapo ajo mbërriti në shtëpi.
Policia shpreson se pamjet e kamerave do t’i ndihmojnë të zbulojnë identitetin e autorëve. Për momentin, nuk ka asnjë pistë për ta.