Ajo që kemi përsëritur në Tiranë që prej muajt qershor, tani po thuhet me zë të lartë edhe në mediat evropiane: Shqipërisë nuk i janë hapur negociatat dhe kjo nuk është e sigurtë as për vitin e ardhshëm.
Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, se në 2019-ën nuk do të ketë hapje automatike të negociatave, është gazetari i medias gjermane, Deutsche Welle, që konfirmon të njëjtën gjë.
Në lidhje direkte nga Boni, gazetari Bahri Cani ka thënë gjatë bashkëbisedimit me kolegët e RTK-së në Prishtinë se, fillimi i negociatave nuk ka qenë kurrë i sigurtë dhe ndryshe kanë menduar ata që kanë dëgjuar vetëm deklaratat e kryeministrit Edi Rama. Sipas Canit, Gjermania dhe Brukseli kërkojnë rezultate konkrete nga Tirana për të marrë një vendim pozitiv vitin e ardhshëm.
“Fillimi i negociatave për vitin e ardhshëm nuk ka qenë kurrë i sigurt, kështu kanë menduar vetëm ata që kanë dëgjuar vetëm deklaratat e kryeministrit Edi Rama. Krerët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar në qershor të këtij viti se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë përparime dhe se vitin e ardhshëm do të merret vendimi nëse do të hapen ose jo negociatat. Ata nuk kanë thënë kurrë definitivisht se negociatat do të fillojnë vitin e ardhshëm. Mesazhi i ministrit të Jashtëm, Heiko Maas, ishte se Shqipëria duhet të punojë shumë për të arritur rezultate të tjera në reforma nëse pretendon hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Ne e dimë shumë mirë dhe e kemi biseduar se ka patur përplasje midis kryeministrit Rama dhe deputetëve gjermanë përpara se të vendosej për këtë çështje. Pra kjo çështje nuk është e sigurtë. Unë do doja që ministri Maas të kishte thënë diçka tjetër, por ai tha se në qershor të 2019-ës nuk do të ketë hapje automatike të bisedimeve për anëtarësim”, deklaroi Bahri Cani, gazetar i ‘DW’.