Humb ndjenjat para gjykatës shqiptari i akuzuar për trafik droge

Saturday, 22 September 2018 12:27

Ervis Gjyshi, 33 vjeç shqiptar i akuzuar për trafik droge nga gjykata italiane në Ankona, ka humbur ndjenjat pak para se të hynte në ambientet e gjykatës. Ndihma e shpejtë i ka ardhur menjëherë në ndihmë të riut të arrestuar në Itali disa ditë më parë si pjesë e rëndësishme e një grupi të fuqishëm trafiku kokaine në Ankona.

Mediat italiane raportojnë se ai po shoqërohej në gjykatë, por në hyrje të saj u ndje keq dhe humbi ndjenjat. U desh ndërhyrja e mjekëve për ti dhënë ndihmë shqiptarit, të njohur edhe si “Visi”, ndërsa seanca u shty.

Ai u arrestua në Itali gjatë aksionit policor të koduar “Mare e Monti”, që goditi një nga grupet kryesore të trafikut të kokainës në Ankona. Sipas hetuesve, Gjyshi ishte shpërndarësi numër 1 i organizatës që përbehej më së shumti nga anëtarë të familjes mafioze Spineli.

Login to post comments